Shpërthen bombola, rrezikohen 15 familje
Lushnje- Shpërthimi i një bombole gazi në një familje në Lushnje ka vënë në alarm pjesëtarët e 15 familjeve, që janë në të njëjtën çati me banesën ku ndodhi ngjarja.
Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi në lagjen “Loni Dhamo”, në shtëpinë e shtetases Lulëzime Kallejxhiu. “Problemi ishte në një bombol gazi të sapombushur, 5 kilogramëshe që përdoej për gatim”- thanë burimet nga vendi i ngjarjes.
Në banesë, në kohën e shpërthimit ndodhej e zonja dhe dy fëmijët e saj, që janë përfshirë nga paniku. Në alarm janë vënë edhe familjet e tjera, që jetojnë ngjitur me banesën në fjalë.
Ata kanë njoftuar me urgjencë policinë dhe bashkë me këtë ka mbërritur zjarrfikësja, e cila për fat ka ndërhyrë në kohë. Ata izoluan vatrën, duke mos lejuar që flakët të përhapeshin në banesat e tjera.