Shpërthenin bunker për skrap, arrestohen nga policia
Elbasan- Hidhnin bunkerë të diktaturës në erë me eksploziv artizanal, arrestohen nga policia. Shërbimet e policisë në Prrenjas kanë ndaluar Shpëtim Rirën, 53 vjeç, Esat Rirën 20 vjeç e Zenel Beqo 58 vjeç, të tre me banim në Prrenjas të Librazhdit, pasi në bashkëpunim mes tyre shkatërronin bunkerët për të përfituar hekur për skrap. Kapja u bë në vendin e quajtur ”Kodra e Dukës” Prrenjas, në çastin kur ata kishin shkërmoqur me eksploziv disa bunkerë e qendra zjarri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 kapsolla detonatore, 2 m linear fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi lënde shpërthyese artizanale, e përgatitur me nitrat amoni + nafte, që quhet amonit me peshë 7 kg. Ndaj tyre është ngritur akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit. F.S.