Ekzekutohet vëlla i Mile çamit, të fortit të Fierit
FIER- Ekzekutim mafioz në qytetin e Fierit. Një 47-vjeçar është vrarë me armë zjarri, ndërsa ka qenë duke sistemuar automjetet në parkingun pronë e tij private. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 19:45, në një parking automjetesh, në lagjen “29 nëntori” të qytetit të Fierit. Ismet Emini, i martuar me fëmijë, është gjendur i vrarë me armë zjarri, ndërsa policia hedh dyshime se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e të kaluarës së tij kriminale, por edhe fakti që ai është vëllai i Fatmir Eminit, i njohur me nofkën “mile çami”, i akuzuar për një sërë veprash penale. Viktima është gjendur i pajetë nga familjarët e tij, pas një automjeti, nën pjesën e tij fundore. Këta të fundit kanë lajmëruar policinë. Forca të shumta të policisë së rendit kanë shkuar në vendngjarje. Ata kanë rrethuar parkingun, ndërsa nuk kanë lejuar askënd t’i ofrohet vendit të krimit. Parkingu ndodhet në mes të disa pallateve shumëkatësh në këtë lagje, që është pronë private e familjes Emini. Gjithçka është e thurur me rrjeta dhe kangjella hekuri, ndërsa për t’u futur në brendësi të tij, ose duhet të jesh klienti i përhershëm, ose duhet të komunikosh me pronarin, për të krijuar mundësinë vetëm nëpërmjet portës për t’u futur brenda parkingut. Disa dëshmitarë u shprehën se kanë dëgjuar të shtënë arme zjarri, kur kanë kaluar përbri parkingut. Por nuk kanë parë askënd të largohet prej andej.
Policia nga ana e saj nuk ka dhënë asnjë informacion konkret në lidhje me ngjarjen, autorë të mundshëm, si dhe pista të hetimit. “Ne po punojmë për të mbledhur prova dhe fakte, janë shprehur uniforma të policisë, e vetëm në përfundim të procesit hetimor në vendngjarje do të japim një deklaratë për shtyp. ”Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e qytetit. Viktima ka qenë i dënuar në shtetin fqinj Itali, pasi ishte akuzuar për vrasje dhe disa kohë më parë, ai është liruar dhe ka nisur punën në këtë parking.
Historia e familjes
Ndërkohë që viktima e djeshme është vëllai i Fatmir Eminit, i njohur me nofkën “Mile çami”, i cili është arrestuar në Fier më 10 nëntor 2006. Arrestimi i tij u bë sepse dyshohet për vrasjen e “Loshit të Karbunarës” në Lushnjë, si dhe i të paktën dy personave të tjerë në Lushnjë e Fier. Vrasja e Bujar Sulajt, të njohur me emrin “Loshi i Karbunarës” dhe e shokut të tij Eduart Dyrmishi ka ndodhur pasditen e 31 dhjetorit të vitit 1997, në fshatin Karbunarë të rrethit të Lushnjës. Gjithçka nisi për hakmarrjen e “Mile çamit”, ndaj vëllait të tij Pëllumb Emini, i vrarë më pas nga “Loshi i Karbunarës”. Mbi Fatmir Eminin, të njohur me nofkën “Mile çami”, bien dyshimet dhe për vrasjen në Fier të presidentit të firmës së ndërtimit “Halo”, inxhinierin Gjergji Halo, 47 vjeç, për shkak të konflikteve të pronësisë që kishte pasur Fatmir Emini me Gjergjin. Kjo vrasje ka ndodhur në vitin 1998 pranë pallatit të projektuar nga vetë Gjergji, në lagjen “29 Nëntori”, lagje në të cilën banonte dhe vazhdon të banojë Fatmir Emini, së bashku me familjen e tij, të përbërë nga gruaja dhe katër fëmijët, dy djem dhe dy vajza. Për këtë vrasje, “Mile çami” u lirua nga gjykata për mungesë provash. Fatmir Emini dyshohet se ka kryer edhe një tjetër vrasje, të një shoferi në vendin e quajtur “Kthesa e Patosit”, rreth dy vjet pas vrasjes së inxhinierit, pronar të një firme ndërtimi.