Shpërthim në veri të Kosovës, dëme materiale
MITROVICE- Një shpërthim është regjistruar rreth 30 minuta pas mesnatës, në një parking të një ndërtese në veri të Mitrovicës. Tri automjete kanë pësuar dëme materiale.
Në bazë të raporteve të para policore të siguruara mësohet se mjeti eksplodues i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer në rrugën Fillip Vishnjiç, ka shkaktuar dëme materiale në tri automjetet civile dhe në dy xhama të dritareve të ndërtesave në afërsi, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.
Hetuesit policor janë në pritje të raportit ekzaminues të ekspertëve të KFOR-it, për të përcaktuar llojin e mjetit shpërthyes të përdorur në këtë akt kriminal.
Dyshohet se cak i këtij sulmi ishte automjeti Audi80 pa targa të regjistrimit, pronë e një qytetari të përkatësisë etnike serbe, i punësuar si staf lokal në EULEX, ndërsa dy automjetet tjera të parkuara afër vendit të ngjarjes, një Reno clio dhe Ford escape, kanë pësuar dëme më të vogla materiale.