E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthime helmuese afër Bovillës, dënohen 3 autorët

23/12/2011  Gurorja me bomba nitrat amoni dhe barut fisheku, 1 milion lekë gjobë punëtorëve

TIRANE-Kërcënimi i basenit ujëmbledhës së Bovillës nga ku furnizohet me ujë të pijshëm kryeqyteti, i ka kushtuar një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra secilit prej të pandehurve Arif Qinami, Safet Shtishi dhe Fisnik Taga. Vendimi është dhënë dje nga gjykata e Tiranës, e cila i shpalli fajtor tre personat e përmendur, pasi kryenin shpërthime me lëndë djegëse dhe radioaktive në një gurore, që ndodhej afër basenit ujë mbledhës së Bovillës. Arif Qinamin drejtues teknik, Safet Shtishin me detyrë zjarrmëtar dhe Fisnik Taga punëtor, një vit më parë kanë shpërthyer në guroren e tyre, lëndë plasëse, tepër të rrezikshme që janë të ndaluara me ligj. Sipas kërkesës për gjykim me nr.5258 të Prokurorisë së Tiranës në 16 dhjetor 2010, drejtori i policisë i ka kërkuar zyrtarisht komisariatit nr.5 verifikimin e veprimtarisë të ushtruar nga një subjekt privat, prodhim inertesh, e cila ndodhej në zonën e Bovillës, pasi shpërthimet e realizuara përbënin rrezik real dhe mund të shkaktonin dëme të pariparueshme në sistemin ujëmbledhës së Bovillës. Më tej në kërkesë thuhet se sipas VKM nr. 533 të 8 korrikut 2005, ngarkohet me përgjegjësi drejtuesit teknikë për organizimin, disiplinën teknike në zbatim të rregullave për ruajtjen dhe përdorimin e lëndëve plasëse, për shpërthimet masive. Në rastin konkret, Prokuroria thotë se tre personat e dënuar kanë kryer veprën penale të “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në terren nga efektivët e policisë në ambientet e firmës “Gega”, janë gjendur në cilësinë e provës materiale plot 13 qese të përgatitura në mënyrë artizanale të mbushura me material shpërthyes nitrat amoni dhe 186 copë fishkë prej kallashnikovi. Sipas Prokurorisë, qeset mbusheshin me nitrat amoni, ndërsa fishekëve demontoheshin dhe pasi u merrej baruti, ai përzihej me nitratin, duke sjellë më pas dhe krijimin e bombave artizanale. Si rezultat i këtij shpërthimi, përhapeshin substanca kimike në ajër, tokë dhe ujë, ku ky i fundit përfundonte në basenin e Bovillës, gjë e cila mund të sillte pasoja të paimagjinueshme në këtë basen, ku furnizohen me ujë të pijshëm qytetarët e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›