Kapet hajduti i fiksuar pas veshjeve të priftërinjve
I fiksuar pas veshjeve ceremoniale të priftërinjve, një i ri ka përfunduar sërish në pranga, vetëm tri ditë pas daljes nga burgu. Erlind Tuci, 22 vjeç, nga Mirdita dhe me banim në Durrës, e kishte përgatitur më së miri vjedhjen e kishës katolike “Shën Luçia”, që ndodhet pas bashkisë së qytetit bregdetar. Ka ndjekur priftin e kësaj kishe deri në vendin ku banonte dhe ka mundur t’i hapë automjetin ku ai mbante çelësat e objektit të kultit. Ka hyrë në kishë dhe ka marrë prej andej vetëm rrobat ceremoniale që prifti i përdor gjatë meshave festive dhe të dielave dhe qetësisht është larguar prej andej me to në dorë. Një patrullë e policisë, që e ka parë rastësisht, e ka ndaluar dhe i ka kërkuar shpjegime. Kështu Tuci është detyruar të pohojë atë që ka bërë. E ndërsa në cilësinë e provave materiale janë bllokuar veshjet ceremoniale të priftit dhe çelësi i kishës, ndaj Tucit ka nisur procedimi penal i radhës për vjedhje. Nga këqyrja e ambienteve të brendshme të kishës është konstatuar se hajduti nuk ka dëmtuar asgjë, as ka tentuar të vjedhë ndonjë gjë tjetër veç rrobave. Burimet policore bënë të ditur se ai u arrestua në flagrancë dhe nga veprimet e para hetimore është zbardhur dhe çudia e kësaj vjedhjeje. 22-vjeçari është i fiksuar pas veshjeve ceremoniale fetare dhe ndonëse kishte vetëm tri ditë që kishte përfunduar dënimin për të njëjtën vepër penale, ai nuk i ka rezistuar tundimit për vjedhjen e radhës. Në vjedhjen e mëparshme të një kishe, Tuci kishte thyer edhe këmbën, duke dalë nga njëra prej dritareve të saj. Banor i Lagjes Nr.2 të Durrësit, Erlind Tuci ka lëvizur drejt zonës së ish-kënetës, ku banon prifti i kishës së “Shën Luçisë”, dhe i ka hapur automjetin, ku dhe ka marrë çelësin e kishës. I arrestuari kishte dijeni që prifti e mbante çelësin aty dhe është kthyer në qendër të qytetit për të realizuar vjedhjen, po që krejt rastësisht është diktuar nga patrulla e policisë, e cila ka bërë dhe ndalimin e më pas arrestimin e tij në kushtet e flagrancës.
#