Të hapur për LDK
Qeveria e re formohet dy javë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Deri më tash nuk kemi biseduar me asnjë parti për koalicione të mundshme. Për ne janë të pranueshëm të gjithë, madje edhe LDK. Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, flet për Express.
Express: A jeni në kontakt me ndonjërën prej partive për çështjen e koalicionit, pasi deri më tani opinioni di vetëm për takimin e z.Thaci me z.Pacolli. A ka pasur kontakte tjera çka është bërë në këtë drejtim?
Kuçi: Kontakte formale me parti politike nuk kemi. Por, dua të them se kemi kontakte permanente dhe në ato kontakte natyrisht se ka tema të ndryshme për bisedime. Ne ende nuk e kemi formalizuar qëndrimin tonë si PDK se me kënd do të orientohemi në koalicion. Kemi pritur datën 9 janar që të përfundojë edhe ky raund i votimeve, presim që të certifikohen zgjedhjet, mandatet e deputetëve dhe pastaj të do të jemi shumë të drejtpërdrejtë, shumë të shpejtë dhe shumë konkretë në krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Tash jemi të koncentruar në krijimin e një ambienti të mirë që zgjedhjet t’i plotësojnë standardet e duhura dhe të kemi një proces normal të paraparë me ligjet tona.
Express: A është e lehtë që PDK të nxjerrë një qëndrim unik se me kënd dhe me çfarë kushte, pasi që flitet se edhe në partinë tuaj ka dallime të mëdha?
Kuçi: PDK është parti stabile, e konsoliduar, natyrisht se ka mendime të ndryshme është normale. Por vendimet që merren në organet e partisë e kemi një kulturë demokratike që respektohen. Në PDK ka një qëndrueshmëri dhe mbështetje të plotë që PDK të udhëheq me Qeverinë e Kosovës që PDK të krijojë koalicion të qëndrueshëm i cili garanton që premtimet tona por edhe programet tona por edhe të partnerëve të koalicionit të realizohen përballë qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë që i kanë për vendin tonë.
Express: A është e gatshme PDK ta japë postin e Presidentit një partie si çmim për koalicionin e ardhshëm?
Kuçi: Ne nuk kemi hyrë në këto matematika. Por, ajo që dua të them është se PDK nuk ngarend që t’i ketë tri pozicionet e saj. Ne këtë e kemi thënë edhe para zgjedhjeve dhe po e themi edhe tani se PDK nuk do të jetë mbajtëse e domosdoshme e pushteteve qendrore, ne do të jemi fleksibilë në kuptimin e shpërndarjes së përgjegjësive, por gjithmonë duke pasur parasysh adresën politike që mund ta kenë ata njerëz, peshën e tyre njerëzore, intelektuale, kombëtare dhe të tjerat që mund ta plotësojnë. Por, ende nuk është një vendim i qartë se cilin pozicion do ta mbajë PDK’ja, a mund të jetë qëndrim i kryetarit të PDK’së apo i organeve të PDK’së se cilin pozicion dhe si do ta mbajë.
(Intervistën, të plotë, mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)