Vdekja nga viagra, në pranga prostituta dhe tutori i saj
14/04/2005 TIRANË- Dy ditë pas gjetjes së kufomës së një 45-vjeçari, i cili kishte vdekur teksa bënte seks, policia arreston prostitutën dhe tutorin e saj. Në një njoftim për shtyp, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se, më datë 12.04.2005 nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve Flutura Serjan Selami, 39 vjeçe, lindur në Fier dhe banues në fshatin Çermë të Lushnjës. Kjo shtetase është kapur në flagrancë, duke kryer marrëdhënie seksuale me klientin Gjovalin Pepa, i cili ka gjetur vdekjen gjatë kryerjes së aktit seksual, të ndodhur prapa hotel “Sheraton”, më datë 12.04.2005 rreth orës 13.00, vepër penale e parashikuar nga neni 113 të Kodit Penal. Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje u krye edhe arrestimi i shtetasit Ramazan Ramiz Leka, 47 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Ky shtetas rezulton se ka shfrytëzuar për prostitucion shtetasen Flutura Selami, për një periudhë 2-mujore në Tiranë. Arrestimi i tij u krye në bazë të neneve 114 të Kodit Penal. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur roja i hotel "Sheraton" gjen kufomën e një 45-vjeçari. Në orën 11.00 të dy ditëve më parë, efektivët e Komisariatit numër 1 u sinjalizuan për një trup të pajetë, rreth 15 metra larg murit rrethues të hotelit. Pas ekspertizës paraprake, mjekët eksperto-ligjorë, prokurorët dhe inspektorët gjetën në xhepat e xhinseve të kufomës një kartë identiteti. Ai quhej Gjovalin Pepa, 45 vjeç, lindur në Mirditë e banues në Tiranë. Fillimisht askush nuk jepte shpjegim rreth shkaqeve të vdekjes së tij dhe ekzaminimi paraprak zgjati përreth dy orë. Më vonë, mjeku eksperto-ligjor, profesor Arben Lloja, deklaroi për gazetën "Metropol" se, "kemi të bëjmë me një vdekje të papritur, si rezultat i sforcimit të aktivitetit të zemrës". Pepa ishte hedhur rrëzë një bordure betoni, e cila shërbente edhe si vend për të kryer nevojat personale, ndërsa rreth e rrotull tij nuk kishte asnjë mjet të dyshimtë, përveç një prezervativi dhe disa tabletave me viagra.