E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet me tri thika për djalin e xhaxhait

14/04/2005  Arben Lami qëllohet në cep të shkollës tetëvjeçare të Paskuqanit nga Ridvan Dema

TIRANË- Vritet me dy thika në bark e një në zemër, 17-vjeçari nga Paskuqani. Shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë grindja e hershme mes djalit të xhaxhait të viktimës dhe vrasësit 16 vjeç. Nxënësit e shkollës tetëvjeçare të komunës së Paskuqanit kanë përjetuar dje në orën 08.00 një tmerr të papërshkruar, kur Ridvan Dema, lindur në Pukë e banues në këtë lagje, i ka ngulur rrufeshëm tri thika Arben Lamit, lindur e banues në Paskuqan. Viktima ndërhyri për të shuar sherrin mes djalit të xhaxhait të tij, Gazmir Lamit dhe Ridvan Demës dhe në sherr e sipër 16-vjeçari teksa po e shtynte, i nguli thikën në zemër. Deri në momentin e largimit të vrasësit, viktima ende vazhdonte të merrte frymë dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ai u nda nga jeta pikërisht në momentin e mbërritjes te bluzat e bardha. Nga ana tjetër, uniformat blu të Komisariatit numër 3 mundën që pas një aksioni të shpejtë të prangosin Ridvan Demën e ta shoqërojnë atë në qelitë e izolimit. Nga burimet e këtij komisariati bëhet e ditur se motivi i ngjarjes ka qenë një grindje e një muaji më parë mes Gazmir Lamit dhe Ridvan Demës, e cila kishte mbetur e pazgjidhur, për shkak të kapriçove të adoleshentëve. Gjithashtu këto burime pohuan se mendohet se sherri i një muaji më parë ka nisur për mosmarrëveshje mes dy nxënësve të një klase, Gazmirit dhe Ridvanit. Herën e parë, sipas policisë, fitimtari ishte Gazmiri, ndërsa Ridvani ishte përgatitur që dje të vinte në vend nderin dhe ishte pajisur me thikë.

Ngjarja

Ende nuk kishte filluar ora e parë e mësimit, kur në oborrin e shkollës shfaqet 16-vjeçari Ridvan Dema, i cili kërkon me ngulm të takohet me Gazmirin, edhe pse kishin një muaj që nuk flisnin. Fillimisht, ata shkëmbejnë disa fjalë me njëri-tjetrin dhe të gjithë menduan se do të mbaronte me kaq, pasi dihej nga nxënësit se ata të dy kishin mosmarrëveshje. Më pas pranë tyre afrohet Arbeni, i cili shiste me tezgë pranë hekurave të shkollës. Teksa shihte djalin e xhaxhait të përleshej me grushta, 17-vjeçari ndërhyri së pari për të shuar sherrin. Ngjarja precipitoi shumë shpejt në tragjedi të vërtetë, pikërisht në momentin kur vrasësi e tërhoqi viktimën në cepin e shkollës, ku papritmas nxori nga bluza një thikë, e më pas ia nguli Arbenit tre herë. Nxënës që ishin të pranishëm në këto momente, thanë për gazetën se askush nuk ndërhyri fillimisht, pasi Dema i kërcënonte të gjithë duke bërtitur: "Do t’iu vras po m’u afruat". Arbeni, së pari u mbështet në mur e më pas ra dalëngadalë në tokë, duke lëshuar lehtaz thirrje për ndihmë. Në çastin e parë kur Dema u largua, nxënësit u afruan dhe e dërguan menjëherë në spital.

Motivi

Nga burime të Komisariatit numër 3 mësohet se vrasja ka si shkak grindjet e herëpashershme të adoleshentëve. Gjithashtu, kjo vepër penale, sipas ekspertëve të kriminalistikës, nuk mund të ketë cilësim tjetër, përveçse atë të "vrasjes me dashje", për shkak se vrasësi erdhi në shkollë i pajisur me thikë. Ndërkaq, edhe nga deklarimet që i mituri kishte bërë në polici, u bë e ditur se synimi i tij ishte grindja me Gazmirin, ndërsa Arbeni, i cili prej muajsh shiste me tezgë pranë shkollës, kishte ndërhyrë për të shmangur konfliktin.

Babai i viktimës: "Isha në miqësi kur më vranë djalin"

TIRANË- Në familjen Lami, me origjinë të vjetër nga Tirana, në orët e mesditës kishte pllakosur dhimbja. Njerëzit e shtëpisë prisnin ngushëllime. Humbja e jetës së Arbenit në moshë kaq të njomë i kishte tronditur të gjithë, ndërsa askush nuk dëshiron të flasë rreth ngjarjes. Kjo familje përbëhet nga shtatë anëtarë, babai i Arbenit, e ëma, katër vëllezërit, dy prej të cilëve jetojnë prej vitesh në Greqi dhe një motër e tij. Teksa rrinte në këndin e parë të dhomës së pritjes, babai i Arbenit, Hamiti, mbahet i fortë dhe nga sytë nuk i del asnjë pikë lot. Ka shikim të mprehtë dhe beson thellë tek Zoti e te drejtësia. "Atë punë e di Allahu, ai na i ka shkruajtur të gjithëve jetën tonë. Përsa i përket vrasjes së djalit tim, kam besim se drejtësia do të dalë fitimtare. Sot nuk mund të flas më gjatë, sepse do varros djalin. Mund t’iu them se në kohën kur ndodhi vrasja, unë isha për miqësi". Këto janë fjalët e pakta të Hamit Lamit, ndërsa i vëllai i tij (xhaxhai i viktimës), insiston se gjithçka do vihet në vendin e vet, duke iu referuar forcës së ligjit e drejtësisë. Në orën 13.00, trupi i pajetë i Arben Lamit u përcoll në banesën e tij të fundit dhe në ceremoninë mortore merrnin pjesë familjarët e tij, miqtë e shokët, të cilët me lot në sy u ndanë përgjithnjë nga 17-vjeçari, që dha jetën për të shuar sherrin mes djalit të xhaxhait të tij dhe vrasësit.

Para 1 viti vritet me thikë një 16-vjeçar për një karrige

TIRANË- Rreth një vit më parë një vrasje plotësisht e ngjashme tronditi opinionin kryeqytetas. Dy adoleshentë grinden për një karrige dhe përfundojnë të masakruar. Klejdian Stafa vritet me thikë nga shoku i tij, Fation Zira. Pas përpjekjesh dhe ndërhyrjesh së herëpashershme, familjarët e Fatjon Zirës, që qëlluan me thikë shokun e tij të klasës, Klejdan Stafën, kanë mundur të shkojnë në banesën e këtyre të fundit për të bërë ngushëllimet e rastit dhe, ndoshta të marrin prej tyre faljen për atë që bëri Fatjoni. Ky i fundit, pasi u arratis për një natë është vetëdorëzuar në polici, duke iu bindur lutjes së babait të tij. Po që prej ditës së vrasjes së ndodhur në oborrin e shkollës ku mësonin të dy të rinjtë, familja e të akuzuarit për krim ka tentuar që të hyjë në komunikim me të afërmit e viktimës. Një ndërmjetës që kishte të bënte me të dy familjet, ka vënë urat e para lidhëse. Klejdani dhe Fatjoni, të dy 16-vjeçarë, për tre vjet me radhë kanë qenë shokë klase dhe në një pjesë të kohës miq të ngushtë. Njohja e tyre ka filluar në klasën e tetë të shkollës 8-vjeçare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›