E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpronësimet për rrugët

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ndryshe nga deklarimet e opozitës, pohon se punimet në disa nga akset rrugore në ndërtim ose në rikonstruksion po ecin me ritme të kënaqshme. Sipas tij, problem gjatë ndërhyrjeve infrastrukturore mbetet shpronësimi që lidhet me problematikën e pronave në përgjithësi, por edhe kjo do të zgjidhet pas kordinimit të institucioneve. “Çështjet që janë për t u zgjidhur janë të shumta, por ato që ne vemë re në përgjithësi janë ato të mbivendosjes, të mospërputhjes së hartave kadastrale me njëra-tjetrën. Kjo gamë e gjerë problemesh duhet zgjidhur në koordinim ndërinstitucional”,- u shpreh ministri Olldashi. Ai ka sqaruar më tej se investimet në infrastrukturën e vendit synojnë të realizojnë modernizimin e rrjetit të rrugëve kombëtare në Shqipëri. Duke u ndalur në aksin rrugor Korçë - Qafë-Plloçë, ai u shpreh se tashmë ka nisur procesi i shtresës së stabilizantit ose fazës së asfaltimit. Ndërsa në rrugën e Bregdetit, në të gjitha vendet e tenderuara, ka një avancim të punimeve përtej parashikimeve të projektit fillestar. Kreu i MPPTT-së theksoi se së shpejti pritet të fillojnë punimet në një sërë rrugësh hyrëse në disa qytete kryesore të vendit, që do të lehtësojnë lëvizjet, kryesisht në qendrat e mëdha urbane. Këtu ministri Olldashi përmendi rrugën hyrëse në qytetin e Fierit, atë në qytetin e Beratit, segmentin lidhës me rrugën nacionale që të çon në varrezat e Durrësit, për të vijuar deri në Porto-Romano.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›