Shqetësohet për Timoshenkon

Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka deklaruar të enjten se është “thellësisht e shqetësuar” me gjendjen e ish-kryeministres ukrainase, Yulia Timoshenko.
Në fakt, ish-kryeministrja e Ukrainës, e cila po vuan dënimin prej shtatë vjetësh burg, ka filluar një grevë urie pas keqtrajtimeve fizike nga ana e rojeve të burgut.
Baronesha Ashton u ka bërë thirrje autoriteteve të Kievit që të lejojnë ambasadorin e Bashkimit Evropian që, së bashku me disa ekspertë të pavarur mjekësorë, të vizitojë Timoshenkon në burg.
Ndryshe, Timoshenko është dënuar në tetor të vitit të kaluar, pasi që- gjykata ukrainase e shpalli fajtore për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ajo ndërkaq insiston se është viktimë e hakmarrjes politike të presidentit aktual të Ukrainës, Viktor Yanukovych.
Ky i fundit ka urdhëruar të enjten kryeprokurorin e vendit që të hetojë pretendimet e Timoshenkos për keqtrajtim.