E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri- Irlandë V, Kuzhe “premton” fitore, Cana i dëmtuar

TIRANE- Federata na ka organizuar një ndeshje shumë të fortë, por ky nuk është justifikim dhe ne të kërkojmë ta fitojmë atë. Ka qenë kjo deklarata e bërë nga trajneri i ekipit kombëtar Josip Kuzhe në prag të miqësores së të mërkurës ndaj Irlandës së Veriut. Për shkak edhe të Asamblesë Zgjedhore, drejtuesit e Federatës nuk duan një figurë të keqe në këtë takim, kështu që Shqipëria do të mundohet të arrijë fitoren. “Kjo është një ndeshje përgatitore dhe ne do të përpiqemi të fitojmë diçka. Dëshira ime si trajner është që të fitoj, ashtu si edhe e ekipit, por sigurisht që Federata na ka organizuar një ndeshje shumë të fortë. Irlanda e Veriut është një skuadër shumë e mirë, por unë do të përpiqem ta shfrytëzoj këtë sfidë për të krijuar atë atmosferë të mirë që kam kërkuar dhe për të rritur nivelin e lojës”, tha Josip Kuzhe. Kroati u shpreh gjithashtu se çështja Mavraj, që refuzoi të jetë pjesë e kombëtares, e ka vonuar jo pak planin e tij për rregullimin e mbrojtjes, ndërsa pranoi se gjatë gjithë kohës në Shqipëri nuk ka gjetur ende një qendër mbrojtës të mirëfilltë. “Kur erdha në fillim këtu, Shqipëria kishte pikën e fortë mbrojtjen dhe vuante në sulm, pasi kishte shënuar vetëm me Maltën. U mundova të rregulloja diçka në sulm, ndërsa tani më duhet t’i rikthehem sërish mbrojtjes. Rikthimi i Beqajt, që unë e kam parë vetëm në DVD mendoj se është shumë i rëndësishëm, pasi ai është një pikë shumë e fortë e kësaj skuadre”, shtoi tekniku kuqezi. Ndërkohë, kapiteni Altin Lala, që rikthehet pas një viti në kombëtare, u shpreh se objektivi në grupin eliminator duhet të jetë zënia e vendit të katërt. “Nëse lëmë pas Bjellorusinë dhe Luksemburgun mendoj se do të jetë një arritje”, u shpreh ai. Për ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut, problemi kryesor për kombëtaren shqiptare është Lorik Cana, i cili është i dëmtuar. Stafi mjekësor kuqezi do të vendosë vetëm të mërkurën paradite nëse ai do të luajë apo jo.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›