Trajneri irlandezo-verior: Shqipëria është forcuar
TIRANE- Trajneri i Irlandës së Veriut Najxhell Uorthington, që rikthehet në Tiranë pas ndeshjes së vitit 1992, e quajti një test të rëndësishëm miqësoren ndaj Shqipërisë ditën e mërkurë. “Shqipëria është një ekip më i fortë nga ai i 1992-shit dhe këtë e pashë në ndeshjet e mira të bëra ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Unë pres një ndeshje të fortë, e cila është mjaft e rëndësishme për ne. Dua t’u jap shansin disa të rinjve të skuadrës që të krijojnë më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi ai. Irlanda e Veriut provoi nga afër problemet e infrastrukturës në Shqipëri, pasi iu desh të stërvitej në kompleksin Dinamo paradite, për shkak se fusha e Selman Stermasit ka qenë thuajse nën ujë. “Për shkak të reshjeve të shumta, fusha ku ne shkuam ishte shumë e rënduar. Po ashtu edhe fushën e stadiumit kombëtar nuk donim ta rëndonim më shumë, prandaj e bëmë stërvitjen atje”, u shpreh tekniku irlandezo-verior. Për Irlandën e Veriut nuk do të luajë ndaj Shqipërisë mbrojtësi i Mancesterit Xhoni Evans, i cili ka pësuar një dëmtim.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)