E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Slloveni nënshkruhen dy marrëveshje

20/02/2009  Forumi ekonomik mbledh në Durrës përfaqësues të biznesit të dy vendeve

Energjitika dhe infrastruktura, ofrohen investimet sllovene

Shqipëria dhe Sllovenia nënshkruan dje dy marrëveshje, njëra në fushën e energjitikës dhe tjetra në fushën e infrastrukturës. Marrëveshja në fushën energjitike e nënshkruar mes kompanisë Poteza dhe qeverisë shqiptare konsiston në ndërtimin e 6 hidrocentraleve. Marrëveshjet u nënshkruan në prani të Presidentëve Bamir Topi dhe Danilo Turk, të cilët ishin të pranishëm në forumin ekonomik të zhvilluar në Durrës dhe ku morën pjesë biznesmenë nga të dy vendet. Duke përshëndetur të pranishmit, Presidenti Topi tha se vlerësonte mbështetjen e Sllovenisë dhe të presidentit Turk për anëtarësimin në NATO. Ai tha se vizita e Presidentit slloven jep garanci për bashkëpunim në të gjitha fushat. Topi i siguroi sipërmarrësit sllovenë se Shqipëria ka një terren të mrekullueshëm për të investuar dhe se politika dhe biznesi duhet të ecin së bashku. Në anën tjetër Presidenti Turk, vlerësoi ritmet e zhvillimit të Shqipërisë, ndërsa shtoi se Shqipëria ka potenciale të mëdha në fusha të ndryshe. Duke folur për periudhën e tranzicionit të vendit të tij, ai vlerësoi përvojën e krijuar si një pasuri e madhe për vendin e tij. Duke marrë fjalën në takim, zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Eno Bozdo i njohu biznesmenët sllovenë me disa nga lehtësitë në fushën e regjistrimit dhe licensimit të bizneseve. Ai tha se eksportet dhe importet me dy vendeve tona janë në nivele ende të ulëta dhe përbëjnë përkatësisht 8 dhe 1 për qind të totalit të shkëmbimeve tregtare të vendit tonë. Ai tha se niveli i investimeve të huaja në Shqipëri pritet të arrijë shifrën 1 miliard euro në fund të vitit 2009, ose katër herë më shumë se sa në vitin 2005. Sipas tij, mes fushave të ndryshme të mundshme për bashkëpunim, hidroenergjetika ka një kuadër ligjor mjaft tërheqës dhe fleksibël. Forumi ekonomik ka qenë evenimenti i fundit i organizuar në kuadër të vizitës së Presidentit slloven në Shqipëri. Gjatë kësaj vizite Turk zhvilloi takime të veçanta me Presidentin bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Në këto takime u theksua nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›