E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri e pashpresë, Kuzhe i larguar

NGA ADI METALI

 Përtej rezultatit 1-1 me Rumaninë, që smund të quhet negativ, drejtuesit e FSHF nuk besojnë më tek aftësitë e Kuzhes

Kualifikueset e Euro 2012 përfunduan. Shqipëria, siç ka ndodhur rëndom në historinë e futbollit tonë, ka zënë vendin e parafundit në grup, duke lënë pas vetëm Luksemburgun. E në këtë realitet, kur kjo fushatë eliminatoresh konsiderohet në çdo prizëm e dështuar, tema e debatit është një: duhet apo jo të rinovohet kontrata e trajnerit Josip Kuzhe.

Çuditërisht, edhe pse vetë kroati ka pranuar që në disa ndeshje ka gabuar, perceptimi i përgjithshëm i tifozëve të kombëtares (kanë thirrur në kor disa herë Kuzhe-Kuzhe, duke shprehur mbështetjen për të) është që trajneri nuk ka faj në këtë dështim, duke drejtuar gishtin nga FSHF dhe futbollistët. Por në futboll është ligj: puna e trajnerit matet me rezultate.

Shqipëri e pashpresë Kështu është perceptuar nga drejtuesit e institucionit të futbollit e ardhmja e kombëtares me Kuzhen trajner, pas barazimit 1-1 me Rumaninë. Ndonëse Duka fshihet pas deklaratave se do të vendosë bashkë me trajnerin pas ndeshjes me Rumaninë, e vërteta thuajse ka dalë sheshit: Kroati sdo të rinovojë. Nuk mundësi të flas në këtë moment, jam pak pa qejf. Kjo shmangie e Armand Dukës, pas përfundimit të ndeshjes me Rumaninë, flet më shumë se deklaratat e kujdesshme mbi të ardhmen e trajnerit. Tashmë epoka e Kuzhes ka përfunduar. Sepse, përtej barazimit 1-1, që për Shqipërinë konsiderohet pozitiv, loja dhe grupi i lojtarëve japin pak shpresë për të ardhmen.

Aftësitë e kufizuara Duke u bërë një analizë të thjeshtë ndeshjeve eliminatore, kuptohet qartë që pas sëmundjes, që preku kroatin 1 vit më parë, rezultatet kanë ardhur në rënie. Por, duke hyrë në detaje, rezultatet zhgënjyese lidhen edhe me vendimet e dyshimta të trajnerit, tashmë të pranuara nga ai vetë.

Zëvendësimi i Bogdanit në pushim të ndeshjes me Bosnjën në Zenica, ku humbëm 2-0, si dhe lënia në stol e Lalës e shoqëruar me aktivizimin e Skelës dhe Currit në mesfushë ndaj Francës në Tiranë, por edhe rreshtimi në humbjen me Luksemburgun (me 3 mesfushorë veteranë), janë rastet më të spikatura të vendimeve të gabuara të Kuzhes, që kanë ardhur ndoshta nga pamundësia e tij për ti vlerësuar drejt situatat.

E duke qenë se kritikat për trajnerin janë bërë në pjesën e dytë të edicionit, FSHF sigurisht që i ka marrë parasysh, duke e lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, që kurrsesi smund të jetë si në momentin kur ai lidhi kontratë me FSHF-në në maj 2009.

Trajner i lirë Brenda 10 ditëve do të flas me FSHF-në dhe do të vendos. Kjo deklaratë e Kuzhes, pas barazimit me rumunët, mbart disa të pathëna. Trajneri nuk ka vendosur të largohet, por dëshiron  të vendosë kushte të tjera për FSHF-në në kontratën e re, gjithmonë nëse ajo firmoset. Ka zëra që thonë se ai kërkon rritje rroge, por këtë aspekt FSHF është prerë:

Federata jonë, krahasuar me ato europiane, është e vogël, me të ardhura të kufizuara, ndaj nuk mund ti lejojmë vetes që të marrim një trajner të shtrenjtë, është shprehur sekretari Prodani, duke lënë të nënkuptohet se çështja e rrogës është e panegociueshme.

FSHF nuk jep një shifër të saktë sa i përket shumës që shpenzohet për trajnerin Kuzhe, por dihet që kroati, përveç bonuseve të tjera, përfiton rreth 200 mijë euro në edicion. Kjo do të thotë se deri në përfundim të kontratës (më 1 janar 2012), Kuzhe do të fusë në xhep rreth 250 mijë euro. Pra, edhe në rast rinovimi, Kuzhe smund të përfitojë më shumë para. Sikurse trajneri i ri i mundshëm nuk do të paguhet më shtrenjtë.

24 – Ndeshje ka drejtuar deri më tani trajneri Josip Kuzhe kombëtaren kuqezi, përfshi këtu ato zyrtare dhe miqësore.

11- Miqësore ka zhvilluar Shqipëria nën drejtimin e kroatit Kuzhe, nga të cilat ka fituar 6 (ndaj Qipros, Irlandës së Veriut, Malit të Zi (dy herë), Andorrës dhe Uzbekistanit), ka barazuar 3 (me Gjeorgjinë, Estoninë dhe Maqedoninë), ka humbur 2 (me Slloveninë dhe Argjentinën)

6-1 Rekordi historik i Shqipërisë, me fitoren më të thellë të saj, vendosur nën drejtimin e trajnerit Kuzhe, kur kuqezinjtë mundën Qipron në Qemal Stafa, në një ndeshje miqësore.

4 Humbje radhazi ka pësuar Shqipëria në ndeshjet kualifikuese të Euro 2012, ndër të cilat më zhgënjyesja ajo në Luksemburg, me rezultatin 2-1.

28 muaj trajner i Shqipërisë, shkëlqimi dhe rënia e Kuzhes

Josip Kuzhe është emëruar në krye të kombëtares shqiptare në fillim të majit 2009, por ai nuk pranoi të debutonte në miqësoren e një seleksioni shqiptar kundër Milanit, që u zhvillua më 12 maj. Më 6 qershor 2009 ai drejtoi për herë të parë kombëraren shqiptare në humbjen 1-2 në shtëpi me Portugalinë, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2010.

Mund të kishte qenë debutimi perfekt, nëse Isli Hidi nuk do të gabonte në minutën e fundit shtesë, teksa Bruno Alvesh shënoi me kokë golin e fitores për portugezët. Pak ditë më vonë, Shqipëria barazoi në miqësore 1-1 me Gjeorgjinë, për ta ardhur te rekordi historik, i shënuar më 12 gusht me Qipron, sërish në miqësore (Shqipëria fitoi thellë 6-1).

Në dy ndeshjet e fundit eliminatore me Danimarkën dhe Suedinë, Shqipëria e Kuzhes shënoi barazimin 1-1 në Qemal Stafa dhe humbjen e thellë 4-1 në Suedi. Përgjatë një viti FSHF i siguroi Kuzhes shumë ndeshje miqësore (Shqipëria sdo të pësonte asnjë humbje), rezultatet e të cilave krijuan idenë se kishim gjetur njeriun e duhur, pse jo për të na çuar në finalet e Euro 2012-s. Madje vetë Kuzhe ka deklaruar se kjo ëndërr mund të bëhej realitet.

Dy ndeshjet e para kualifikuese, me Rumaninë në Piatra Neamt (1-1) dhe me Luksemburgun në Tirana (1-0), shënuan një fillim mbresëlënës të eliminatoreve, çka do të shënonte kulmin e popullaritetit të Kuzhes. Mirëpo në fund të shtatorit, 10 ditë para eliminatores me Bosnjën, Kuzhe u shtrua në spital i diagnostikuar më pas me hemorragji cerebrale.

Shqipëri-Bosnjë 1-1 dhe Bjellorusi Shqipëri 2-0 u drejtuan nga Xhemal Mustedanagiç. Në këtë periudhë u vu seriozisht në dyshim mundësia e drejtimit të kuqezinjve nga Kuzhe, që fatmirësisht u kthye në detyrë në miqësoren e 17 nëntorit ndaj Maqedonisë (0-0). Më 9 shkurt 2011, Shqipëria e Kuzhes pëson humbjen e parë në miqësore me Slloveninë (1-2) në Qemal Stafa.

Fitorja mbresëlënëse me Bjellorusinë (1-0) thjesht krijoi imazhin e rremë që mund të bënim mrekullinë me Bosnjën në Zenica. Por ndodhi e kundërta: Shqipëria pësoi 4 humbje radhazi në eliminatore, duke shmangur mbylljen më të keqe të mundshme me barazimin e fundit me Rumaninë. Në 29 muaj në krye të Shqipërisë, Kuzhe pati shkëlqimin dhe rënien si trajner, çka vështirë se mund të pasohet me rinovimin e kontratës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›