E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes pasi lindi fëmijën nëna 25-vjeçare, nuk dihen shkaqet

Sarandë/ Familjarët e gruas së re akuzojnë mjekët të cilët nuk kanë ditur të shpjegojnë ndërrimin e jetës së të afërmes së tyre

SARANDË – Mister shkaqet, ndërsa familjarët protestojnë për t’i ditur ato, duke u treguar “të padurueshëm” për të kuptuar se përse u largua nga jeta 25-vjeçarja Enkeleda Osmani. Ora 11:00 e paradites së të dielës ishte fatale për jetën e gruas së re nga fshati Xarrë i Sarandës. Mësohet se ajo nuk mundi të mbijetojë, megjithë dy elektroshokët e përdorur nga mjekët. Operacioni i tretë dhe një incident vetëm pak ditë para lindjes së fëmijës së tretë duket se kanë rënduar gjendjen e saj dhe më pas kanë shkaktuar edhe vdekjen, megjithatë, një fakt i tillë pritet të zbulohet pas kryerjes së autopsisë nga ekspertët mjeko-ligjorë.

I pranishëm në çastet e fundit të jetës së Osmanit ishte edhe bashkëshorti, i ndodhur pranë së shoqes qysh nga çasti i lindjes së djalit, i cili erdhi në jetë para një jave. Për gruan e re ishte lindja e tretë. Dy ndërhyrjet e para për të lindur, para pesë vjetësh djalin e madh dhe para tre vjetësh vajzën kishin qenë me operacion, ku çdo gjë ka shkuar më së miri. Por lindja e tretë erdhi me plot telashe. Para 20 ditësh Enkeleda theu këmbën në dy vende. Si rrjedhojë, mjekët kanë menduar shtrimin e saj në maternitet, duke qenë se ishte në praglindje. Pas lindjes së fëmijës së tretë, për të cilin ajo i është nënshtruar operacionit, mësohet se gjendja e nënës dhe fëmijës ka qenë normale. Kështu të hënën ajo pritej që të dilte nga spitali dhe që dje familjarët po përgatiteshin për daljen. Por, rreth orës 09:30, teksa ka tentuar të ushqejë foshnjën, 25-vjeçarja ka rënë pa ndjenja. Pas njoftimit mjekët kanë përdorur elektroshokun, por pa rezultat. Në orën 11:00 ata konstatuan vdekjen e saj.

Pas vdekjes, familjarët janë shprehur të revoltuar. Mospërgjigjja e mjekëve për shkakun e vdekjes së 25-vjeçares ka bërë që ata t’i cilësojnë si fajtorë për ngjarjen dhe të kërkojnë shpjegime për gjithçka që ka ndodhur dhe shkëputjen e beftë nga jeta të saj. Ndërkohë, mjekët e Sarandës kanë kërkuar ndihmë nga mjekë të specializuar nga Tirana. Bashkë me ta janë nisur nga Tirana edhe mjekët që do të bëjnë ekspertizën mjeko-ligjore, e cila eshtë pamundur për t’u kryer në Sarandë. Ende nuk është dhënë përfundimi nga ekspertët e mbërritur. Ndërkohë, në mjedise mjekësh e nënash në maternitet, bie në sy numri i madh i lindjeve përmes operacionit, duke anashkaluar lindjet natyrale, që jo rrallë është cilësuar nën zë si një dëshirë e bluzave të bardha për më tepër para.

Familjarët padisin në polici mjekët

Ndërkaq, në orët e mbrëmjes u bë e ditur se nga ana e familjarëve është ngritur një padi në polici, duke i cilësuar mjekët si përgjegjës për vdekjen e 25-vjeçares Enkeleda Osmani. Një grup hetimor është ngritur për këtë çështje, ndërsa janë marrë në pyetje familjarët, si dhe do të shihen përgjegjësitë e mjekëve lidhur me vdekjen e nënës së tre fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›