E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, angazhim përkrah SHBA-së, përparim edhe në kontrollin e kufijve”

Departamenti amerikan i Shtetit publikon Raportin vjetor për terrorizmin

TIRANE - Departamentit amerikan të Shtetit, në Raportin vjetor për terrorizmin me titull “Gjendja e vendeve lidhur me terrorizmin”, vlerëson angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me trupa në Afganistan dhe ngrirjen llogarive bankare që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terroristëve.
Raporti bën të ditur nga ana tjetër, se, Shqipëria ka shënuar përparim edhe në përcaktimin e pikave të dobëta kufitare në tokë dhe në det.
Raporti jep edhe vlerësime pozitive edhe për Kosovën.

SHBA - Sipas këtij raporti, Shtetet e Bashkuara thonë se Al-Qaida ka ristrukturuar disa prej aftësive të saj që kishte para 11 shtatorit 2001 dhe mbetet kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj.
Në raportin vjetor mbi terrorizmin global, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se në vitet që nga sulmet e 11 shtatorit, Al-Qaida dhe aleatët e saj ekstremistë kanë kapërcyer kufijtë e Afganistanit dhe janë futur në zonat e thella të Pakistanit. Raporti thotë se organizata terroriste ka përdorur zonat e thella në Pakistan si baza dhe zona për stërvitjen e forcave.
Raporti thotë gjithashtu se Irani mbetet shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin. Po në këtë raport thuhet se në vitin 2008, Forcat Kuds të Iranit vazhduan të furnizojnë me armë, të mbështesin me stërvitje dhe fonde Hezbollahun në Liban për të minuar qeverinë libaneze dhe për të çuar përpara fushatën e tyre antiizraelite.
Ligji i Shteteve të Bashkuara kërkon nga Sekretari i Shtetit t’i paraqesë Kongresit deri më 30 prill të çdo viti një raport të hollësishëm për ato vende që parashikohen në ligj.

Shqipëria - Raporti me titull “Gjendja e vendeve lidhur me terrorizmin” vë në dukje angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me trupa në Afganistan dhe ngrirjen llogarive bankare që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terroristëve, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera në luftën kundër terrorizmit.
Shqipëria, thuhet gjithashtu në raport, ka shënuar përparim edhe në përcaktimin e pikave të dobëta kufitare në tokë dhe në det, por qeveria dhe policia, kanë ndeshur në sfida për sigurimin e plotë të kufijve, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në raport përmendet si shembull rasti i bllokimit të llogarive të një grupi të huaj, që ishte edhe i vetmi.
Por me gjithë përparimet e bëra, në raport vihet në dukje se përpjekjet e Shqipërisë në financimin e luftës kundër terrorizmit janë minuar nga mungesa e infrastrukturës së ruajtjes së të dhënave dhe mungesa e aftësisë për të ndjekur dhe menaxhuar si duhet çështjet.

Kosova - Lidhur me Kosovën në raport thuhet se qeveria e vendit dhe UNMIK-u vazhduan edhe këtë vit monitorimin e veprimtarive të dyshuara si terroriste.
Në raport thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte dyshime vetëm për disa, prej më se 1000 organizatave joqeveritare për aktivitete në lidhje me terroristët dhe autoritetet morën masa për të parandaluar shfrytëzimin e këtyre organizatave nga ekstremistët, disa prej të cilave edhe nën petkun e fesë.
Policia e Kosovës dhe njësia e UNMIK-ut kundër terrorizmit ishin kryesisht përgjegjëse për kontrollin e kësaj veprimtarie, por ishin të vogla në numër dhe me mungesë mjetesh.
Me transferimin në muajin dhjetor të përgjegjësive nga UNMIK-u tek EULEX-i, një pjesë e këtyre përgjegjësive i kaluan këtij të fundit.
Përpjekjet e këtyre autoriteteve, thuhet në raport, vazhduan të përqendroheshin në ngritjen e njësive dhe stërvitjen e pajisjen e forcave, si dhe në grumbullimin e informacionit për kërcënimet e mundshme terroriste.
Kufijtë porozë, thuhet në raport, kanë qenë lehtësisht të kapërcyeshëm për trafikun njerëzor, armët dhe narkotikët, gjë që i ka penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit.
Trafikantët shfrytëzuan disa rrugë dhe shtigje të pambrojtura për të hyrë në Kosovë.
Në këtë drejtim ka kontribuar dhe puna e dobët e doganave në dy pika në veri të vendin, në kufirin e Kosovës me Serbinë.
Për arsye sigurie, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë ndërhyrë për të vendosur rregullin në këto pika.
Në raport citohen përparimet e bëra në bashkëpunimin mes zona të tjera të vendit si dhe rastet e pazgjidhura në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›