E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi gjyqësor, i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë

16-04-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, pret në një takim Ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu
    
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, priti dje në një takim kortezie Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne Tirane,  Aleksandër Arvizu dhe eksperten e çështjeve për drejtësinë, Cindy Eldridge, bënë të ditur burime zyrtare nga Gjykata e Lartë.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Becaj, e ka uruar Arvizu për detyrën e tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri si dhe ushtrimin me përgjegjësi të këtij misioni diplomatik, si dhe ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që Qeveria Amerikane i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë, me anë të organizmave të ndryshëm që operojnë në Shqipëri në këtë fushë.
Ndërkohë, ambasadori Arvizu në fjalën e tij shprehu rëndësinë e sistemit të drejtësisë për perspektivën e Shqipërisë. 
“Shqipëria si pasojë e periudhës së tranzicionit qe ajo po kalon, ka akoma shumë sfida përpara saj, por çelësi më i rëndësishëm në suksesin e së ardhmes së Shqipërisë është pikërisht sistemi gjyqësor. Nëse do të arrihet të përballohen me sukses sfidat, jam i sigurt se e ardhmja e vendit tuaj do të jetë shumë e ndritur”, tha ai.    
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Becaj, theksoi se gjyqësori shqiptar është i mobilizuar për të çuar përpara misionin  e tij të shenjtë në dhënien e drejtësisë. Ajo trajtoi me hollësi të gjitha problemet me të cilat përballet sot gjyqësori në përgjithësi, duke u ndalur në domosdoshmërinë e mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, domosdoshmërinë për të marrë mbështetjen e duhur nga dy pushtetet e tjera, me qëllim që pushteti gjyqësor të ketë garancitë për të ushtruar funksionet dhe kompetencat e tij në mbështetje të interesat të gjerë publik.
Sipas saj, kjo mbështetje duhet të konsistojë në bashkëpunimin për të konsoliduar reformat e mëtejshme në sistemin e drejtësisë e veçanërisht në Gjykatën e Lartë; në sigurimin e burimeve të nevojshme ndaj gjykatave dhe gjyqtarëve për një prezantim dinjitoz të tyre.
Ajo vuri në dukje pengesat që ka sjellë mosmiratimi i Ligjit të Konferencës Gjyqësorë Kombëtare, i cili ka pasur asistencën e vazhdueshme të juristëve amerikanë gjatë dy viteve të fundit. Shfuqizimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare ka vështirësuar mekanizmat e bashkëveprimit institucional me pushtetet e tjera për çështje me rëndësi të mirëfunksionimit të sistemit të drejtësisë, tha ajo. 
Kryetarja e Gjykatës së Lartë i tha ambasadorit të SHBA-së se pushteti gjyqësor respekton maksimalisht punën e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe medias, ndërkohë qe ky respekt duhet të jetë i ndërsjellët në mënyrë që të çohen përpara reformat e nisura nga shteti shqiptar në përmbushje të të gjitha detyrimeve për të përfituar statusin e vendit kandidat në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›