E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ushtria Shqiptare plotëson standardet e Aleancës së NATO”

30-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit OMLT me mision në Afganistan- do trajnojnë ushtarë afganë

Në kuadrin e kontributit të vendit tonë, në Forcat Ndërkombëtare të Asistencës së Sigurisë, në muajin korrik do të dërgohet në Afganistan një grup patronazhi dhe koordinimi i përbërë prej 32 ushtarakësh, nga të cilët 20 janë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe 12 ushtarakë të SHBA-ve. N
ë ceremoninë me rastin e përfundimit të trajnimit të përbashkët të FA-ve dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës grupi (OMLT), kryeministri Sali Berisha vlerësoi bashkëpunimin mes ushtrisë shqiptare dhe asaj amerikane, në koorporimin e tyre të përbashkët në misionet e NATO-s, për paqen dhe sigurinë në botë. Në prani të ambasadorit të SHB-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, ministrit të Mbrojtjes Arben Imami si dhe ushtarakë të tjerë të FA shqiptare dhe të Gardës Kombëtare të New Jersey-t, kryeministri Berisha e cilësoi misionin, si një mision të rëndësishëm, i cili bën krenar çdo shqiptar, duke shënuar një dimension të ri të pjesëmarrjes së Shqipërisë në forcat e ISAF.
Sipas Berishës, kjo pjesëmarrje është një dëshmi tjetër e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për t’ju përgjigjur kërkesave të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe për të qëndruar në çdo rast, aty ku ushtria amerikane dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut do të jenë për paqen dhe stabilitetin.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje bashkëpunimin 15 vjeçar mes ushtrisë shqiptare dhe gardës kombëtare të New Jersey-t, i cili ka rezultuar deçiziv në transformimin e ushtrisë shqiptare në një forcë ushtarake profesioniste.
Berisha theksoi gjithashtu ndihmën e çmuar të SHBA-së ndaj Shqipërisë.
Ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes e përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-së, Arvizu, i cili tha se ndihet krenar përpara dy flamujve Shqipëri-SHBA.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Maksim Malaj, Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral major Glenn K. Rieth, si dhe ushtarakë të tjerë të FA shqiptare dhe të Gardës Kombëtare të New Jersey-t.
Dy ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti në zyrën e tij, Gjeneral Major Glenn K. Rieth, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis FA Shqiptare dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-t. Ministri Imami, falënderoi Gjeneralin Reith, për mbështetjen dhe kontributin e dhënë përmes shkëmbimit të përvojave, ekspertizës, trajnimit të personelit në fushat civilo-ushtarake për njësitë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ndërkohë, Gjenerali Rieth, vlerësoi se bashkëpunimi i frytshëm mbi 15 vjeçar mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey do të zhvillohet më tej, duke kontribuar kështu në forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona. Të dy personalitetet vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer që vendi ynë ka me NATO-n në Afganistan, por edhe me SHBA-të në Irak, si dhe ndanë të njëjtin vullnet për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Alexander Arvizu: Shqipëria, partneri kryesor i SHBA-së në Afganistan
Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu vlerësoi rolin dhe kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, japin në Afganistan dhe misione të tjera për garantimin e paqes dhe sigurisë në botë. Arvizu theksoi faktin se Shqipëria është partneri kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan me kontributin në misionet paqeruajtëse atje.
“Ky mision i ekipit të përbashkët shqiptaro-amerikan të trajnuesve në të vërtetë shënon një rritje shumë të madhe të personelit që dislokohet nga Shqipëria në Afganistan. Së bashku me SHBA-në, Shqipëria renditet e dyta ndër të gjithë partnerët e NATO-s që japin kontributin e tyre me ushtarë (për frymë) në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe kjo është shumë e rëndësishme për vendin tuaj. Me këtë grup (OMLT), Shqipëria do të ketë dislokuar në Afganistan rreth 350 trupa. Ky është një nga dy misionet 9 mujore të ekipeve të përbashkëta shqiptaro-amerikane OML, dhe kjo do të jetë një mundësi mësim nxënie për forcat shqiptare dhe ato amerikane”, u shpreh Arvizu.
Ai falënderoi gatishmërinë e Tiranës për mbështetjen e operacioneve jo vetëm në Afganistan, por edhe më gjerë. “Ne dëshirojmë të falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme, jo vetëm në Afganistan, por në të gjitha projektet për mbrojtjen e paqes kudo në botë”, deklaroi më tej ambasadori amerikan Arvizu.       

Glenn K. Rieth: FA-të, transformim mbresëlënës
Në fjalën e tij përshëndetëse Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey, Gjeneral Major Glenn K. Rieth, i cili duke bërë një retrospektivë të shkurtër nga koha kur dy vendet tona kanë shkëmbyer eksperienca të ndryshme në fushën ushtarake tha se trupat shqiptare gëzojnë një performancë mbresëlënëse në operacionet e NATO-s.
“Kam pasur rastin dhe privilegjin të trajnojë dhe të bashkëpunojë me trupat ushtarake shqiptare, të cilat kanë arritur një reformim dhe transformim jashtëzakonisht mbresëlënës. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, janë ushtarë të denjë dhe kanë marrë vlerësimin maksimal të Komandës së New Jersey-t, si dhe në misionet ku ata kanë marrë pjesë në kuadër të NATO-s apo koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, në Irak. Bashkëpunimi ynë në këta vite është një dislokim historik dhe kulmimi i një marrëdhënieje 15 vjeçare ndërmjet Gardës Kombëtare të New Jersey-t dhe të Shqipërisë” u shpreh gjenerali Reith, teksa i uroi ushtarakëve suksese në këtë mision të rëndësishëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›