Shqipëria, më 11 gusht miqësore me Uzbekistanin
Trajneri Josip Kuzhe do të vazhdojë kolaudimin e Shqipërisë në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012. Kundërshtari i radhës për kuqezinjtë do të jetë përfaqësuesja e Uzbekistanit. Ky është testi i katërt për Kombëtaren në vitin 2010, pas tri miqësoreve të fituara me rezultatet 1-0 përballë Irlandës së Veriut, Malit të Zi dhe Andorrës. Ndeshja do të zhvillohet më 11 gusht, ndërsa ajo do të jetë edhe përballja e parë mes dy skuadrave. Sipas shefit të marrëdhënieve për shtypin në FSHF, Tritan Kokona, ende nuk është përcaktuar qyteti ky do të luhet sfida me Kombëtaren e shtetit të Azisë Qendrore. “Ndeshja do të luhet në Shqipëri, ndërsa qyteti ende nuk është përcaktuar”, tha ai. Kjo konfirmon edhe një herë problemet që institucioni i cili drejton futbollin në Shqipëri ka me drejtorinë e stadiumit “Qemal Stafa”, por edhe me faktin se ende nuk është vendosur çfarë do të bëhet me impiantin më të madh në vend.
#