E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në Poloni për aromë Europiani

Nga ANDI MATRAXHIU 

Kombëtarja kuqezi pritet të grumbullohet në një nga shtetet organizatore të Europianit. Janë programuar miqësore luksi ndaj skuadrave pretendente

Aktualisht kombëtarja e Shqipërisë është në pauzë të plotë pas dy ndeshjeve miqësore ndaj Azerbajxhanit në Qemal Stafa, ku u mundën 1-0 dhe më pas në Maqedoni, në atë barazim pa gola 0-0. Por duket se drejtuesit e FSHF-së nuk po qëndrojnë duarkryq. Nga burime të mirëbesuara pranë tyre, mësohet se Shqipëria në të ardhmen do të ketë mundësinë për të zhvilluar disa miqësore me skuadra me emër në arenën Europiane, të cilat janë pjesëtare të Euro 2012.

Në këtë projekt kombëtarja kuqezi do të ketë një grumbullim 2-javor në Poloni. Pjesë e organikës do të jenë lojtarët më të mirë të përfaqësueses sonë. Edhe pse nuk kemi pasur mundësi të kualifikohemi në një eveniment si Europiani apo Botërori, tashmë do të kemi mundësinë të ndiejmë aromën e tij, duke u përballur me skuadrat pretendente në Poloni. Europiani, siç dihet, zhvillohet në dy shtete, ku është edhe Ukraina pjesë e tij, veç polakëve.

Shqipëria do të zhvillojë stërvitje intensive gjatë qëndrimit në Poloni, ku pret edhe miqësoret e luksit. Objektivi kryesor është organizimi i tri ose katër përballjeve me skuadrat e Grupeve A dhe C, të cilat do ti zhvillojnë ndeshjet mes Varshavës, Gdanskut, Poznanit dhe Vroclavit. Natyrisht që shënjestra drejtohet për të kapur sfida ndaj Italisë, Spanjës apo edhe Rusisë, ndërsa mes kundërshtarëve të mundshëm janë edhe Polonia, Republika Çeke, Greqia, Kroacia apo Republika e Irlandës.

Sigurisht, ky projekt përafrohet me startimin e Euro 2012, për të përfituar nga momenti që ekipet përfaqësuese pjesëmarrese në kompeticion do të grumbullohen rreth 2 muaj përpara aktivitetit. Pa dyshim që duke parë nivelin e kombëtares sonë, mund të jemi një kundërshtar i kërkuar në treg, pasi në të tilla miqësore, ekipet e luksit shpeshherë kërkojnë skuadra modeste për tu përballur. Veç interesit për sfidat miqësore, ky grumbullim i kombëtares sonë do të shërbejë për të ndihmuar edhe trajnerin e ri të përfaqësuess së Shqipërisë, i cili pritet të caktohet gjatë muajit janar të 2012-tës.

Trajneri i ri mbase do të debutojë në një miqësore të datës 29 shkurt, e cila figuron edhe si e lirë për miqësore ndërkombëtare nga ana e FIFA-s. Nëse ky projekt realizohet, pa dyshim që kombëtarja me një njëri të ri në pankinë, do të ketë mundësin të futet në shinat e duhura në bazë të përgatitjeve të eliminatoreve 2014. Jemi mësuar që grumbullime të tilla, të ashtuquajtura zbore, në të kaluarën të zhvilloheshin me lojtarë që kërkonin hapësira në përfaqësuesin kuqezi.

Por tashmë moda ka ndryshuar dhe mendohet se pjesë e grupit do të jenë lojtarët kryesorë, pasi edhe sfidat e hartuara, edhe pse miqësore, kërkojnë protagonistë cilësorë. Vizita e disa ditëve më parë në Ukrainë e presidentit Armand Duka dhe e sekretarit Eduard Prodani, pa dyshim ka shërbyer edhe për të vendosur disa miqësore me vende të ndryshme të Europës.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›