E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në krizën ekonomike globale



Ekonomia botërore po përkeqësohet me ritme të shpejta. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritjen më të ulët ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërsa në Shqipëri vazhdojnë debatet mbi ndikimet e kësaj krize mbi ekonominë, drejtori i FMN-së për programin me Shqipërinë, Gervin Bell, paralajmëron për ulje të mëtejshme të rritjes ekonomike. Shpejtësia e përkeqësimit të krizës ekonomike globale po çudit shumë ekspertë të ekonomisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të ulë parashikimet për rritjet ekonomike, duke thënë se ekonomia globale mund të jetë në 2009 në nivelet më të ulëta në 60 vjet. Ky përkeqësim i ekonomisë globale do të sjellë një ulje më të madhe të rritjes ekonomike të Shqipërisë, - thotë Gervin Bell, - drejtor i programit të FMN-së për Shqipërinë. "Për 2009-n, në nëntor thamë se rritja ekonomike do të ishte 3.5 apo 4%. Tani na duhet ta ulim këtë shifër shumë më tepër për shkak se ekonomia botërore është përkeqësuar kaq shumë muajt e fundit". Pakësimi i të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e eksporteve janë disa nga efektet e para që po ndjen Shqipëria. Niveli i eksporteve që jo më larg se nëntori i vitit të kaluar ishte në shifrat e 15 përqindëshit, tani është negativ, një dukuri e paparë ndonjëherë më parë për mbarë rajonin. Nga ana tjetër, kreditimi i pamjaftueshëm i ekonomisë mund të sjellë edhe më shumë probleme. "Ulja e ndjeshme e kreditimit apo shtrëngimi i kreditimit që po ndodh tani është serioz. Ulja e aktivitetit ekonomik mund të sjellë pakësim të mëtejshëm të grumbullimit të taksave. Janë këto dy aspekte të tjera që po i shohim dhe i kemi identifikuar si rreziqe". Ndërhyrjen e vonuar të Bankës së Shqipërisë për të ulur normat e interesit, ndërsa shumë vende të tjera me probleme të kreditimit vepruan muaj më parë, zyrtari i FMN-së e justifikon me pritjen për t’u rivendosur normaliteti në sistemin financiar. "Pas ngjarjeve të tetorit kishte një farë hezitimi nga ana e depozituesve shqiptarë nëse do t’i mbanin kursimet e tyre në bankë dhe në fakt disa i tërhoqën. Banka e Shqipërisë veproi kur u stabilizua besimi. Por a do të jetë e mjaftueshme ajo për të nxitur kreditimin? Do të na duhet të presim". Qeveria po dëgjon këshillat e FMN-së për t’iu përgjigjur situatës. Ajo ka marrë masa si vënien e kushtëzimeve në shpenzimet buxhetore në varësi të realizimit të të ardhurave. Zoti Bell beson se politikat monetare do të jenë instrumentet e vetme, me të cilat qeveria pritet të veprojë ndaj efekteve të krizës, pasi ajo nuk mund të përballojë një stimulim të ekonomisë përmes shkurtimit të taksave. "Nuk mendoj se qeveria ka hapësirë për të bërë shkurtim taksash. Mbështetja që qeveria mund të japë tani për ekonominë është të jetë në gjendje të funksionojë pa probleme. Qeveria ka rënë dakord të shkurtojë deficitin buxhetor nën 4 për qind të GDP-së, dhe nuk mund ta shtojë deficitin me shkurtimin e taksave". FMN-ja vazhdon të jetë kritike për menaxhimin e KESH-it dhe paralajmëron kundër një subvencioni tjetër në një kohë kur të ardhurat nga taksat janë të pakta dhe kur shpenzimet do të jenë shumë më strikte sesa ç’kanë qenë në të kaluarën. "Një aspekt mjaft negativ është se në një kohë kur u përmirësuan grumbullimet e faturave nga familjet dhe bizneset, ato nga institucionet publike nuk u përmirësuan aspak. Nëse qeveria nuk grumbullon dot faturat e veta ka diçka që s’shkon. Në anën e prodhimit, tarifat e shitjeve me shumicë janë shumë të ulëta krahasuar me koston. Kjo situatë do të kërkojë përsëri subvencione dhe do të rëndojë buxhetin". FMN-ja vazhdon të kërkojë rritjen e çmimit për të mënjanuar këtë gropë fiskale në buxhet. Marrëdhëniet e reja të Fondit me Shqipërinë janë tani të kufizuara tani në këshillime. Megjithatë shumë vende, në rajon si për shembull Serbia apo Hungaria janë kthyer për ndihmë institucionit financiar si një masë parandaluese në rast se kriza përkeqësohet. Megjithëse përpara zgjedhjeve të ardhshme, mund të mos jetë tërheqëse një marrëdhënie e re me FMN-në, kjo mund të ndryshojë në këtë ambient të ri të ekonomisë globale. Është shumë e vështirë të parashikosh si do të jetë situata një muaj apo dy, - thotë zoti Bell. E rëndësishme është që qeveria të veprojë ashtu siç ka vepruar deri tani, për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Kjo nuk është një krizë globale që mund të zgjidhet në Shqipëri, por Shqipëria mund të bëjë më të mirën për të mbajtur stabilitetin.

VOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›