Shqipëria në luftë me zjarret, ja zonat e emergjencave
Tiranë- Vendi ynë vijon të jetë i prekur nga zjarret, vatrat e të cilave janë shtuar si pasojë e të nxehtit përvëlues që po bën gjatë muajit Gusht.
Ministria e Mbrojtjes, MM, ka bërë të ditur se ka angazhuar Forcat e Armatosura dhe mjetet e ushtrisë për shuarjen e flakëve të cilat kanë ‘mbërthyer’ veçanrësiht qarkun e Shkodrës, të Beratit, të Dibrës, të Gjirokastrës, të Kukësit, të Tiranës, të Vlorës etj.
MM-ja njofton se janë shuar disa vatra zjarri si ajo në afërsi të garnizonit ushtarak në Babrru, në kodrën Partizani, mbi lagjen muze të Goricës, në periferi të qytetit të Delvinës, një tjetër në zonën e Qafës së Llogarasë, pranë ish-Qendrës së Ndërlidhjes, në kodrat e Bushatit në Shkodër, në kullotat dhe pyjet e komunës Lukaj dhe Selishtë të qarkut të Dibrës. Ndërkohë janë në gatishmëri për të ndërhyrë edhe 45 forca me tre mjete transporti.
Më poshtë MM-ja jep qarqet problematike në vend që vijojnë ‘betejën’ me zjarret:
Në qarkun e Dibrës, zjarri ka rënë në fshatin Terzë të komunës Kala e Dodës. Për shuarjen e këtij zjarri, që vazhdon i favorizuar nga terreni i thepisur dhe era, po punohet me vështirësi nga ana e forcave ushtarake.
Në qarkun e Elbasanit, flakët e zjarrit kanë përfshirë malin e Sopotit, në komunën Stravaj. Strukturat e shërbimit pyjor, të forcave të ushtrisë dhe komuniteti janë angazhuar për shuarjen e tij, por terreni tepër i thepisur e vështirëson punën.
Në qarkun e Gjirokastrës, ka një vatër zjarri në pjesën e sipërme të malit të Gjirokastrës, ku po punohet nga ana e Forcave të Armatosura për shuarjen e tij.
Në qarkun e Kukësit, vatrat e zjarrit kanë përfshirë zonën pyjore Leproj dhe Keçel të komunës Malzi; Gjegjan, komuna Tërthore dhe Qafë Komi 1 komuna Arrën; në Letaj, të komunës Golaj, rrethi Has. Të gjitha vatrat e zjarrit janë nën kontroll dhe vazhdon puna për izolimin e tyre të plotë.
Në qarkun e Korçës vazhdojnë vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në kufirin ndarës ndërmjet rrethit të Korçës dhe Kolonjës, rreth 5 km në vijë ajrore nga kufiri me Greqinë. Për fikjen e zjarrit janë angazhuar forcat ushtarake dhe ato pyjore.
Në qarkun e Shkodrës, në rrethin e Pukës, në Pjavër, komuna Iballë, zjarri është riaktivizuar pas shuarjes së tij, por është vënë sërish nën kontroll. Zjarri në Grykë të Kabashit, ndërmjet komunës Qelëz dhe Rrape, është vënë nën kontroll, ndërsa forcat ushtarake dhe ato të pyjores, po punojnë për shuarjen e plotë të tij.