E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, pjesë e programit komunitar Europa për qytetarët

>Shqipëria do të marrë pjesë në programin komunitar Europa për qytetarët për periudhën 2009-2013, një program i cili synon të inkurajojë qytetarët të përfshihen në mënyrë aktive në procesin e integrimit Evropian, tu krijojë mundësi për të zhvilluar një identitet të përbashkët europian në bazë të historisë, kulturës dhe vlerave të përbashkëta si dhe të nxisë tolerancë dhe mirëkuptim të përbashkët. Nga zyra e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës bëhet e ditur se kjo marrëveshje u nënshkrua dje në Bruksel nga znj. Mimoza Kondo, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë dhe znj. Odile Quintin, Drejtore e Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin e BE-së. Nga ky program, sipas marrëveshjes, do të përfitojnë autoritetet vendore, shoqëria civile, organizatat joqeveritare, unione biznesi, institucione shkollore dhe edukative, organizata aktive në fushën e punës vullnetare, organizata aktive në fushën e sportit amator. Për procesin e integrimit kjo do të thotë një partneritet më shumë midis qeverisë shqiptare dhe BE-së, një mundësi më shumë që qytetarët shqiptarë të ndihen pjesë e familjes së madhe europian, aktivizim i shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në nivel europian, rritje e ndërgjegjësimit mbi politikat sociale të Bashkimit Europian, nxitje e dialogut ndërkulturor në rajon dhe më gjerë, solidaritet social dhe zhvillim të qëndrueshëm. Programet komunitare janë një seri aksionesh të integruara, të ndërmarra nga Komuniteti Evropian me qëllim promovimin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare të BE-së në fusha të caktuara të politikbërjes së KE-së dhe bazohen në alokimet e veçanta nga buxheti i përgjithshëm i BE-së.  Në 19.5.2005, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen kuadër, të nënshkruar nga Shqipëria dhe Komunitetit Europian në datë 22.11.2004.  Kjo marrëveshje përcaktoi parimet e përgjithshme për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programet Komunitare. Duke iu referuar kësaj marrëveshjeje, kushtet e pjesëmarrjes, kapacitetet e kërkuara administrative, kontributi i planifikuar financiar, mekanizmi për pjesëmarrje në menaxhimin e programit dhe rregullat e kontrollit financiar përcaktohen në një Memorandum Mirëkuptimi (MM), i nënshkruar tashmë midis Shqipërisë dhe KE-së, i cili do të miratohet në parim nga Këshilli i Ministrave dhe do të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë pjesëmarrja në programin specifik Kultura 2007-2013,  do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Programi Europa për qytetarët do të jetë vazhdim i programit me të njëjtin emër që përfundoi në vitin 2006.  Ai do të zgjasë në periudhën 2007-2013 dhe ka një fond total prej 215 milion euro. Qëllimi i tij i përgjithshëm është të përmirësojë pjesëmarrjen e qytetarëve në ndërtimin e Europës, duke mbushur boshllëkun ndërmjet publikut dhe institucioneve të BE-së dhe duke krijuar instrumente për të promovuar një nënshtetësi aktive evropiane. Ky program do të realizohet nëpërmjet katër aksioneve: (a)Qytetarë aktivë për Europën, i përfshin qytetarët direkt, (b) ose nëpërmjet aktiviteteve të lidhura me binjakëzimin e qyteteve, (c) ose nëpërmjet projekteve me qytetarët.  Ky aksion do të thithë 45 % të fondit total të programit.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›