E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pjesëtare e BE-së kur të ketë përmbushur kërkesat

03/02/2009  Kryetarja Topalli takon homologun Uesterberg. Suedia pro zgjerimit të unionit evropian

Kryetari i Parlamentit të Suedisë Per Uesterberg ka deklaruar dje mbështetjen e vendeve politike të vendit të tij pro zgjerimit të BE-së, politikë e cila sipas tij do të reflektohet gjatë presidencës së Suedisë. Kryeparlamentari Uesterberg, vendi i të cilit do të marrë presidencën e radhës të BE-së në korrik të këtij viti, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topallin tha se Shqipëria është pjesë e Evropës dhe se meriton të jetë pjesë e BE-së. “Të gjitha partitë politike në Suedi mbështesin politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, dhe kjo do të reflektohet gjatë presidencës sonë të BE-së në 6-mujorin e ardhshëm. Por zgjerimi i BE-së do të thotë plotësim i standardeve që i kërkohet çdo vendi për të qenë pjesëmarrës. Dhe unë mendoj se Shqipëria, si një vend europian, duhet të jetë pjesëtare e BE-së kur të ketë përmbushur kërkesat”, - tha ai, duke nënvizuar se vendi ynë ka ecur shumë përpara dhe ka bërë transformime të mëdha. Uesterberg ka vlerësuar gjithashtu rolin që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin e rajonit ballkanik. Ai i bëri këto vlerësime pas panoramës që i paraqiti kryeparlamentarja Topalli lidhur me reformat e Shqipërisë në fusha të ndryshme, si dhe të angazhimeve që vendi ynë do të marrë për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ky është një vit elektoral për Shqipërinë dhe kemi të gjithë vullnetin dhe angazhimin maksimal për të realizuar zgjedhje me standarde europiane. Tashmë ka nisur procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit, kusht ky edhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve, që është një prioritet yni, pasi qytetarët shqiptarë, që kanë vuajtur gjysmë shekulli në izolim, meritojnë të jenë të lirë të lëvizin në Europë”, - tha Topalli. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Uesterberg me doktrinën e suksesshme ekonomike të aplikuar në Shqipëri, si uljen e taksave, rritjen e pagave dhe fokusimin te investimet, politika këto që e kanë ngjitur Shqipërinë në vend të dytë në botë për suksesin e reformave të tregut. Gjithashtu Topalli e falënderoi Suedinë si një ndër vendet e para që ratifikuan MSA-në Shqipëri–BE, po ashtu ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Parlamentit të Suedisë dhe delegacioni që e shoqëron atë ndodhen në Tiranë me ftesë të Kryetares së Kuvendit. Kjo është e para vizitë e një kryetari të Parlamenti të Suedisë, duke shënuar kështu hapjen e një etape të re në marrëdhëniet mes dy parlamenteve dhe dy vendeve. Ndërsa sot Uesterberg do të pritet në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›