E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri shkrumbon mobilierinë e këngëtarit

Një zjarr i rënë mesditën e së enjtes ka djegur
një pjesë të madhe të mobilierisë private të
këngëtarit Ilir Veliu. Zjarri ka shkaktuar
dëme të mëdha, ndërkohë që policia deklaron se
shkak ka qenë një shkëndijë elektrike. Mobilieria e
këngëtarit Veliu quhet "Evin" dhe ndodhet në zonën
industriale të qytetit të Fierit, shumë pranë vendit
të njohur me emrin UMB-ja ose në ish-kompleksin
ushqimor. Ka qenë roja ai që ka pikasur zjarrin e rënë
brenda fabrikës së prodhimit të mobilieve. Kryesisht
në këtë fabrikë prodhoheshin divane, kolltukë, e
orendi të tjera shtëpiake. Menjëherë drejt vendit të
njoftuar për zjarr kanë shkuar dy automjete zjarrfikëse
dhe shumë forca të shpëtimit. Ato kanë bërë
të mundur lokalizimin e flakëve që rrezikoheshin të
shpërndaheshin në të gjithë ish-kompleksin ushqimor.
Pas afro dy orësh përpjekje për të ndaluar dhe
pasur nën kontroll zjarrin, është mundur që intensiteti
i flakëve të binte. Dëmet e konstatuara pas
shuarjes së flakëve kanë qenë të mëdha. Ato përllogariten
në disa miliona lekë. Vetë këngëtari i dëmtuar,
Ilir Veliu, ka thënë për mediat se dëmi llogaritet
në afro 250 milionë lekë të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›