E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria të mos aplikojë për në BE

12/03/2009  Ambasadorja çeke Marketa Filkova takim me studentët e Universitetit të Elbasanit

Opinione dhe mbi prekjen nga kriza, liberalizimin e vizave

ELBASAN-Ambasadorja çeke në Shqipëri, Marketa Filkova, e shoqëruar edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian në Shqipëri ka marrë pjesë në një leksion të hapur me studentët e Universitetit të Elbasanit mbi rolin e Komisionit Evropian, rolin e Presidentes çeke në BE, por edhe mbi krizën, liberalizimin e vizave dhe sidomos aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat.

Pikëpyetjet

Ajo ka renditur sfidat e presidencës çeke që do të mbajë drejtimin për 6 muaj të Komunitetit Evropian. Ekonomia, energjia, marrëdhëniet e BE-së me vendet e tjera jashtë saj, por edhe politikat e sigurisë u përcaktuan nga ambasadorja si qëllime drejt të cilave Çekia po punon. Ajo është ndalur tek kriza ekonomike, një problem madhor që kërkon politika adekuate dhe për heqjen e barrierave ekonomike dhe kulturore me vendet e tjera jashtë KE-së siç është edhe Ballkani Perëndimor. Ajo ka shprehur edhe një herë mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit, por ka theksuar fort se nuk është momenti i duhur i aplikimit për kandidat të vendit tonë në BE. Ndërkohë pyetjeve dhe bashkëbisedimit me studentët ajo i është përgjigjur me mjaft qetësi duke u ndalur në pikat më të dobëta politike dhe ekonomike. Liberalizimi i vizave ka qenë një ndër pyetjet duke marrë si përgjigje faktin se Maqedonia ka arritur të ketë elementët e duhur të sigurisë për dokumentin e identifikimit, ndërsa Shqipëria ende jo. “Kjo është një çështje teknike dhe ka lidhje me kartat dhe pasaportat biometrike. Kur Shqipëria të ketë zgjidhur çështjen e pasaportave të reja, atëherë do të flasim sërish për liberalizimin e vizave. Këtë gjë e ka bërë Maqedonia, e cila me një kosto të madhe ka ndryshuar 6 pasaporta duke arritur në modelin e fundit që do t’i hapë rrugë për liberalizimin e vizave. Ndërsa për sa u përket vizave të studentëve ato janë falas. Po kështu edhe mbi Greqinë ku ka një standard të ulët në dhënien e vizave, për këtë ne nuk mund të influencojmë dot”, tha ambasadorja çeke. Emigrantët dhe kriza kanë qenë dy elementë të përbashkët të pyetjes për ndikimin e efektit krizë tek ta, por edhe tek Shqipëria. Ambasadorja i ka cilësuar emigrantët në Greqi më të cenuar nga kriza.

Kriza ekonomike

“Unë mendoj kështu sepse emigrantët shqiptarë në Itali janë më shumë të integruar, më shumë të stabilizuar kanë edhe ndoshta aktivitetet e tyre tregtare kurse në rastin e Greqisë shpesh ka edhe punë sezonale. Kriza do të shkaktojë rënien e kësaj pune sezonale dhe një papunësi më të madhe”, ndërsa për krizën brenda Shqipërisë ajo është përgjigjur “Jam e habitur që akoma nuk po ndjehet sa duhet kjo krizë në Shqipëri, por në rast se emigrantët do të kthehen dhe kjo mund të ndodhë sidomos me Greqinë atëherë nuk do të ketë punë, do të rritet papunësia. Shqipëria është shumë e varur nga dërgesat e emigrantëve që ka të bëjë edhe me lidhjen e fortë familjare. Nëse shqiptarët do të mbeten pa punë, atëherë nuk do të kenë më çfarë do të dërgojnë. 25% e këtyre dërgesave është nga emigrantët dhe rënia do të fillojë të duket në vazhdim për fat të keq”.

Mbi momentin e aplikimit të Shqipërisë si kandidat dhe për situatën aktual kur Shqipëria po insiston, Filkova u përgjigj se “Momenti i parë është që të jetë nga ana politike e përshtatshme për Shqipërinë që të bëjë këtë aplikim, ndërsa momenti i dytë është kur Bashkimi Evropian të jetë i gatshëm për ta pritur këtë aplikim nga ana teknike. Ashtu siç tha edhe ministri i Jashtëm çek Zvarcenberg rreth dy javë më parë “Nëse shtëpia juaj është e përmbytur nga uji atëherë është problem”.

Dhe nga ana e Kryeministrit Berisha përgjigja ishte pak me humor se Shqipëria do të presë pak derisa të thahet uji. E rëndësishme është që të jetë momenti i duhur. Qeveria shqiptare është e lirë ta bëjë këtë aplikim, por e rëndësishme është që në momentin kur aplikimi të dorëzohet të marrë vëmendjen dhe jo të ndodhë si në rastin e Bosnjës kur ky dokument qëndroi për një kohë të gjatë aty”. Ajo deklaroi se një ndikim tek momenti jo i duhur ka edhe kriza ekonomike që ka përfshirë Evropën dhe vendet e tjera.

“Shpresojmë që këtë situatë ta kapërcejmë dhe këtë aplikimin e Shqipërisë ta pranojmë në momentin e duhur. Është e rëndësishme që të gjitha vendet e BE-së tashmë e kanë ratifikuar marrëveshjen e asociim-stabilizimit të Shqipërisë, ndërsa Mali i Zi ka aplikuar kur ishin bërë vetëm 7 ratifikime, ndërsa Shqipëria është e përpara”. Ajo e ka deklaruar shitjen e OSSH-së një kompanie çeke si një çështje oferte më të mirë dhe jo favorizim.

“Nuk e them vetëm si çeke, por mendoj se oferta e tyre ishte më e mirë dhe kjo është thjesht një çështje komerciale. “CHEZ” është një kompani që është shtrirë në Ballkan si në Kosovë e në disa vende të tjera. Është e vërtetë që ata kanë qenë shumë të interesuar për të mbyllur këtë kontratë dhe madje kontaktet kanë qenë të vazhdueshme për shkak të situatës ekonomike sot dhe jo në lidhje me Shqipërinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›