Wollfarth: KQZ po bën punë shumë të mirë në rrethanat më të lehta të mundshme

Kreu i prezencës së OSBE në Tiranë inkurajon për një proces të rregullt zgjedhor
Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth thotë se për zgjedhjet e 23 qershorit, ODIHR do dërgojë në Shqipëri 400 vëzhgues. Në vlerësimin e ambasadorit, ekziston mbështetja për një proces të rregullt zgjedhor, ndërsa theksoi rolin e KQZ, se po bën një punë shumë të mirë dhe kjo jo në rrethanat më të lehta të mundshme. Në një deklaratë për mediat, Wollfarth komentoi dhe koalicionin PS-LSI. Sipas tij, është një vendim i ligjshëm i forcave politike. Ambasadori i OSBE apeloi që kjo të mos ndikojë në funksionimin e komisioneve pasi anëtarët duhet të udhëhiqen nga zbatimi i ligjit.
Raporti i ODIHR-it flet për një polarizim të klimës politike, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin demokratik të zgjedhjeve. A ndani edhe ju të njëjtin shqetësim?
ODIHR-i botoi dje pasdite raportin e Misionit për Vlerësimin e Nevojave. Në të reflektohen ato që ata kanë dëgjuar nga bashkëbiseduesit, gjatë misionit të tyre këtu. Unë do ta vija theksin te pjesa më e rëndësishme e raportit, që është rekomandimi për të pasur një numër të madh vëzhguesish, këtu në terren, për të lehtësuar një procedurë të saktë zgjedhore. Ka shumë gjasa që të vijnë më shumë se 400 vëzhgues vetëm nga ODIHR-i ditën e zgjedhjeve në Shqipëri dhe kjo është një mbështetje shumë e madhe për një proces të mirë zgjedhor këtu në Shqipëri. Më lejoni të shtoj, gjithashtu, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po bën një punë shumë të mirë dhe kjo jo në rrethanat më të lehta të mundshme. Kjo është, gjithashtu, thelbësore për një proces të mirë zgjedhor. Deri tani, jemi në terren të sigurt. Do të doja të shtoja që kjo është vënë re dhe vlerësuar që nga ana e qeverisë ekziston mbështetja për një proces të rregullt zgjedhor. Ky është një angazhim tjetër shumë i rëndësishëm, të cilin ne e mbështesim plotësisht.
A keni koment për largimin nga koalicioni të z. Meta?
Këto janë vendime legjitime që bëhen nga partitë politike. Nuk kam asnjë koment për të bërë në këtë fazë.
Në fakt, kjo do të ndikojë në administrimin e zgjedhjeve, pasi opozita, së bashku me LSI-në do të administrojnë 100 për qind të KZAZ-ve dhe vendeve të numërimit. Si e shikoni këtë zhvillim?
Nuk kam të njëjtin mendim. Komisionerët duhet të bëjnë një punë neutrale dhe korrekte. Ata kanë besimin e partive te tyre. Ata duhet të punojnë për përmbushjen e detyrës dhe zbatimin e ligjit. Kjo është një detyrë në shërbim të qytetarëve, të të gjithë shqiptarëve.