Shqipërinë duhet ta marrim e ta duam (pa pasur turp) ashtu siç është
Unë mendoj të kundërtën e asaj që shprehin shumica e mërgimtarëve. Ata thonë që ne duhet të ndihmojmë Shqipërinë. Unë them që ne mëagimtarët nuk duhet të merremi shumë me Shqipërinë (ata që duan duhet të kthehen). Dhe as Shqipëria të mos merret me ne. (Shqipërisë i duhen paratë tona, por me sa shoh, jo mendtë tona)
Duhet, pra, që secili të shohë punën e tij. Asnjë shtet i zhvilluar nuk e ka pasur zhvillimin e tij prej mërgatës që ta kemi edhe ne.
Shqipërinë duhet ta marrim e ta duam (pa pasur turp) ashtu siç është, e varfër dhe e pisët. Sepse mendoj që turpi na shtyn të dyja anëve, jo vetëm të mbajmë referate (pa bukë), por edhe na forcon që t'i imponojmë njëri-tjetrit ndryshimin "për të mirë". Pra, që Shqipërinë ta bëjmë si Europa, ose që ne të mërgatës të mbesim shqiptarë të patundur, d.m.th., të mos europianizohemi ndonjëherë.