E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët do të protestojnë më 23 qershor në Shkup

Shkup -Protestat mbarëkombëtare kundër diskriminimit të shqiptarëve do të fillojnë me 23 qershor të këtij viti në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për të vazhduar më pas në qytetet tjera të banuara me shqiptarë. Lajmin e ka bërë të ditur udhëheqësi i Këshillit për organizimin e protestave me iniciativë të Bashkimit Demokratik Kombëtarë (BDK), Nevzat Halili.

Sipas tij, protestat do të mbahen nën moton: “Barazi të plotë kombëtare për shqiptarët”. Njëherësh këto protesta do të gëzojnë edhe mbështetjen e studentëve të Universitetit të Tetovës. Halili shpreson që protestat të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike, pa nxitur urrejtje ndaj askujt. Kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri tha se në protestat të cilat kanë karakter kombëtar nuk do të ketë simbole partiake por vetëm flamuj kombëtarë dhe flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian. Ai tha se protestat janë definuar si protesta kombëtare, ndërkaq pret që atyre tu bashkëngjiten edhe anëtarët e dy partive më të mëdha Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Këto protesta siç thotë Shaqiri qëllim të vetëm kanë që të ndryshohet statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni.

“Mendoj se çdo shqiptarë në Maqedoni do t’i mbështesë këto protesta sepse vet qëllimi i protestave është i qartë, është kombëtar dhe në kuadër të kombëtares secili duhet të veprojë”, theksoi Hysni Shaqiri. Vlen të theksohet se këto protesta i mbështet edhe Unioni i Studentëve të Universitetit të Tetovë.

“Studentët janë pjesa më vitale e një populli dhe ata janë një forcë që sjellin ndryshime dhe ne do të ecim përpara me këtë lëvizje, me këto protesta me qëllim që ta ndërtojmë këtë shtet por vetëm të barabartë”, porositi kreu i BDK-së, Shaqiri.

Kryetari i Unionit të Studentëve të Universitetit të Tetovës, Gadaf Uzeiri tha se do të ftojë studentët për të mbështetur këto protesta mbarëkombëtare. “Kemi mbështetur dhe në të ardhmen do të mbështesim iniciativa të cilat kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni”, tha Uzeiri. Ai tha se edhe studentët si gjithë të tjerët janë pjesë e kësaj shoqërie dhe ndajnë të njëjtat halle.

Përndryshe, iniciativës së Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK), për mbajtjen e protestave me karakter kombëtar, iu bashkëngjitën dy partitë jashtëparlamentare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH), si dhe Shoqata e ish të Burgosurve dhe të Përsekutuarve Politik, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare për Iliridën. (lajmpress/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›