E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Bukureshtit përkujtojnë Viktor Eftimiun

Viktor Eftimiu

Bukuresht, 25 janar 19:01 NOA - Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe Ambasada jonë në Bukuresht i kanë sjellë një homazh shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu.

Kjo u bë këto ditë, përmes një vizite përkujtimore dhe vendosje lulesh në Varrezat Bellu, ku prehet dramaturgu së bashku me të shoqen e tij Axhepsina Makriu, me rastin e 120 vjetorit të lindjes.

Në këtë eveniment merrnin pjesë aktorët e mirënjohur të teatrit dhe të filmit rumun Radu Beligan, Adela Marculescu, Carmen Stanescu dhe Florin Piersic, të gjithë aktorë që kanë luajtur pjesët e Eftimiut kur ai jetonte, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë Laurian Stanchescu, shkrimtarë, gazetarë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë etj.

Nga ana e Ambasadës Shqiptare në Bukuresht për vlerat e shkrimtarit të mirënjohur me origjinë shqiptare, për rëndësinë e tij dhe për motivet shqiptare në veprën e Viktor Eftimiut foli sekretari i parë Dr. Luan Topçiu.

Nga organizatorët foli deputetja e komunitetit shqiptar të Rumanisë, znj Oana Manolescu dhe përkthyesi i mirënjohur i Ismail Kadaresë në rumanisht z. Marius Dobrescu.

Nga folësit u vu në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë Eftimiu për kulturën rumune, për origjinën e tij, për dy udhëtimet e shkrimtarit në vitet e fundit të jetës etj. Z. Dobrescu përmendi “shortin e përbashkët të dy shkrimtarëve rumunë me origjinë shqiptare Victor Eftimiu dhe Cezar Ivanescu.

Të dy para se të ndaheshin nga kjo jetë vizituan Shqipërinë. I dyti banoi në shtëpinë e të parit në Bukuresht, si një lidhje e fatit të tyre dhe padyshim lidhjen me origjinën e tyre nga Shqipëria.

Viktor Eftimiu, i ardhur në Bukuresht në moshën 13 vjeçare, nga Boboshtica e Korçës, do të shndërrohet një nga shkrimtarët më produktivë dhe më punëtorë të letërsisë rumune. Ai ishte poet sonetist, romancier, tregimtar, dramaturg i shquar, përkthyes, anëtar i Akademisë Rumune. Eftimiu është bërë i njohur në kulturën rumune me pjesët e teatrit, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Kaposh i zi”, “Prometeu” etj.

Është ai që ka futur në teatrin rumun: teatrin poetik, sipas modelit të Federico Garcia Lorca-s në letërsinë spanjolle. Fatkeqësish, pas vitit 1990, vepra e tij, me vlera të sigurta artistike, i është lënë harresës, sepse nuk janë identifikuar trashëgimtarët që mbajnë të drejtën e autorit për të ribotuar veprën e tij.

Statuja që poeti e ngriti vetë gjatë jetës në parkun Çishmixhiu u zhduk viteve të fundit.

Përshpirtja dhe përkujtimi i organizuar nga Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe Ambasada Shqiptare në Bukuresht, e solli Viktor Eftimiun në vëmendje të shtypit rumun dhe të opinionit publik.

F. Struga/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›