Vila: “Idhulli im është Mesi, por dua të bëhem si Modriç”
“Jam i lumtur të luaj në klubin prej të cilit dolën lojtarë të tillë si Modriç dhe Eduardo. Dinamo është një emër i madh në Shqipëri. Tani më duhet të justifikoj besimin e drejtuesve dhe tifozëve të Dinamos”. Këto ishin fjalët e para të Emiljano Vilës për gazetën e madhe kroate “Sportske Novosti” pas transferimit të tij ish-lojtarit të Teutës te kampionët e Kroacisë, Dinamo e Zagrebit.
Vila ka “ndryshuar” edhe temperaturat e ka sjellë pak freski në Kroaci. “Me mbërritjen e Emiljano Vilës, në Rogla, atje dhe ku Dinamo po “djersitet” para provimit në Europë, mbërriti edhe shiu. Ndryshimi i temperaturës brenda 24 orëve ra në 20 gradë. Trajneri Jurçiç zhvilloi stërvitjen për të parë dhe ‘fytyrën e re’ të Dinamos”, - shkruan gazeta, që thekson se ndërkombëtari shqiptar po ndihmohet nga Adrian Kozniku, një ish-lojtar i Kombëtares kroate dhe një nga goleadorët më të mirë, si me Hajdukun ashtu dhe me Dinamon.
Vetë Jurçiç ka krijuar përshtypjen e parë për Vilën. “Unë realisht shpresoj se do të bëhet një lojtar i madh”, - tha trajneri i Dinamos, duke i uruar mirëseardhjen në ekip shqiptarit.
“Vila është vazhdimësi e politikës së Dinamos për të afirmuar e rritur lojtarë të talentuar nga i gjithë rajoni. Sigurisht, që ai do të garojë për një vend në formacion, por megjithatë ne jemi të bindur se është i ri dhe ka nevojë për pak kohë të përshtatet. Në çdo rast, ne jemi këtu për ta lehtësuar atë adaptohet plotësisht. Si mesfushor a ka shënuar shumë gola dhe kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë. Është i pajisur me agresivitet dhe aftësi të mira shënimi, çka do u shërbejë edhe lojtarëve të tjerë në zonë”, -shtoi Jurçiç.
Vila nuk e fshehu kënaqësinë e tij për transferimin e tij te Dinamo e Zagrebit. “Dinamo është një klub me reputacion të madh në Shqipëri dhe unë jam i lumtur që të jem pjesë e ekipit, prej të cilit kanë dalë Luka Modriç dhe Eduardo da Silva. E di se tani më duhet të justifikoj besimin e drejtuesve dhe tifozëve të Dinamos. Pata interesim nga Eintrahti i Frankfurtit (Gjermani) dhe Dnieprit (Ukrainë). Ka pasur edhe të tjerë, por këta të dy ishin më të interesuarit. Megjithatë, kur dëgjova për Dinamon, nuk pata më asnjë dyshim në vendimin tim”, - tha Vila, i cili ka theksuar për “Sportske Novosti”, se modeli i tij si lojtar ishte Leo Mesi i Barcelonës. Emiljano tregoi se loja e tij është shumë e thjeshtë dhe aspak e komplikuar. Oto Bariç ka pohuar për mediat kroate se Vila është i shpejtë dhe se e ka në gen shënimin e golave, çka e vërtetojnë edhe statistikat e sezonit të kaluar, kur ai shënoi 14 gola në 25 ndeshje.
Transferimi i Vilës, 300 mijë euro
300 mijë euro. Kjo është shuma e transferimit të Emiljano Vilës nga Teuta e Durrësit te Dinamo e Zagrebit në Kroaci. Shifrën e bëri publike gazeta sportive kroate, “Sportske Novosti”, që shton se mesfushori ndërkombëtar shqiptar firmosi për katër vjet. Vila, 21 vjeç, u prezantua zyrtarisht me kampionët e Kroacisë. Gjatë sezonit të kaluar, Vila realizoi 14 gola, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë në kampionatin shqiptar. Lajmi për transferimin e Vilës bëri xhiron e botës përmes disa prej agjencive zyrtare e faqeve më të njohura sportive.
EMILJANO VILA
Datëlindja: 12.03.1988
Gjatësia: 185 cm
Pesha: 72 kg
Skuadra: Dinamo Zagreb, Kroaci
Roli: Mesfushor sulmues
Skuadrat: Teuta, Dinamo Zagreb
Kombëtarja A: 3 grumbullime
Milan, miqësore
Portugali, zyrtare
Gjeorgji, miqësore
Ndeshje: 2
Gola: 1
KUZHE
Rekomandimi për blerjen e Vilës erdhi pas vlerësimit me nota pozitive të Josip Kuzhes, trajnerit aktual të Kombëtares shqiptare. Ky i fundit ka qenë trajner i Dinamos së Zagrebit, madje e ka nxjerrë kampione të Kroacisë në sezonin 2005-2006.
BARIÇ
Ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç dhe kampion Dinamon e Zagrebit (1996-1997): “Arma më e madhe e Vilës është shpejtësia, mendoj se Dinamo ka bërë një blerje të mirë dhe do të përfitojë me angazhimin e tij”.
22 Qershor 2009