E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, mes Obamës dhe MekKeinit

Në gjithë Shtetet e Bashkuara, miliona amerikanë po votojnë për presidentin e ri dhe për anëtarët e Kongresit. Rezultatet e anketave, para hapjes së qendrave të votimit, tregojnë se demokrati Barak Obama ka avantazh të ndjeshëm ndaj republikanit Xhon MekKein. "Zëri i Amerikës" bisedoi me analistët Donald Llambro, analist i gazetës prestigjioze "Washington Times" dhe Ilir Zherka, drejtor ekzekutiv i organizatës "DC Vote", mbi politikën e jashtme të secilit kandidat në rolin e presidentit ndaj Ballkanit dhe çfarë do të bënin ata për ekonominë, që natyrisht prek edhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë ardhur në momentin vendimtar dhe në qoftë se nuk përsëritet viti 2000, kur Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara iu desh të vendoste për rezultatet, njëri prej kandidatëve, republikani Xhon MekKein ose demokrati Barak Obama, do t‘i urojë tjetrit fitoren në çdo kohë pas mesnatës.

Në SHBA, një vend me mozaik të vërtetë etnish, komunitetet e ndryshme kanë qenë të preokupuar se ç‘qëndrim do të mbante secili kandidat ndaj interesave të tyre brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Ndërsa të dy kandidatët kanë pasur qëndrime diametralisht të kundërta për një mori çështjesh, ata kanë shprehur të njëjtin angazhim për vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan. Ilir Zherka, drejtor ekzekutiv i organizatës "DC Vote", thotë se, pavarësisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, politika amerikane në Ballkan dhe, më specifikisht për Kosovën e Shqipërinë, nuk do të ndryshojë.

"Lajmi i mirë është se shqiptarët në rajon dhe shqiptaro-amerikanët këtu duhet të ndjehen të sigurt dhe të dinë një gjë, se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojë nëse president zgjidhet senatori MekKein apo senatori Obama. Politika jonë ndaj Ballkanit është e përcaktuar, mbështetja amerikane për Kosovën është shumë e fortë dhe nuk do të ndryshojë, kjo përfshin edhe ruajtjen e integritetit të saj territorial", thotë ai. Por Zherka shpreh bindjen e tij se kandidatura Obama-Bajden është më e mirë për shqiptarët si rezultat i mbështetjes së tyre për Kosovën dhe përvojës së gjatë të senatorit Bajden në dinamikën e Ballkanit.

Por nuk është plotësisht i këtij mendimi Donald Llambro, analist i njohur i gazetës prestigjioze amerikane "Washington Times". Megjithëse është dakord se politika amerikane ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojë, Llambro thotë se kandidatura MekKein-Pejlin është më e përshtatshme, pasi senatori MekKein e njeh atë rajon të botës më mirë.

"Obama nuk ka folur shumë për rajonin e Ballkanit. Ai ka folur për riparimin e dëmit të shkaktuar në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Evropën, duke përfshirë në këtë kuadër edhe Ballkanin, konkretisht Kosovën dhe Shqipërinë, me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie shumë të mira. Për mendimin tim, senatori MekKein e njeh atë rajon të botës më mirë. Megjithatë, ajo që duhet të bëjë presidenti i ardhshëm, është përmirësimi i marrëdhënieve me vendet fqinje të Shqipërisë dhe Kosovës", thekson ai.

Po ashtu, Llambro thotë se mungesa e përvojës së senatorit Obama në politikë dhe posaçërisht në politikën e jashtme, ka qenë një nga çështjet më shqetësuese të kësaj fushate presidenciale. Edhe vetë senatori Bajden, thotë ai, e ka shprehur një shqetësim të tillë.

"Është interesant fakti se edhe partneri i tij, senatori Xho Bajden nga Dellover, ka thënë se, në gjashtë muajt e parë, do të kemi një krizë ndërkombëtare nën presidencën e Obamës, pasi ai do të sfidohet dhe vihet në provë nga armiqtë tanë nëpër botë. E njëjta gjë, siç ndodhi me Presidentin Kenedi, i cili erdhi në postin e Presidentit në një moshë shumë të re dhe me një përvojë të shkurtër në Senat. Udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikita Hrushov, duke e nënvleftësuar Presidentin Kenedi, dislokoi raketa në Kubë, në atë që në histori njihet si ‘kriza e raketave kubane‘". Kur senatori Bajden, i cili ka një përvojë të pasur në politikën e jashtme, bën një deklaratë të tillë, amerikanët duhet të mendohen mirë për këtë", shton ai.

Situata aktuale në botë, thotë më tej analisti Llambro, me luftën në Irak dhe Afganistan dhe me veprimtaritë terroriste në rajone të ndryshme të botës, nuk është e përshtatshme për t‘u trajnuar në vendin e punës, siç është rasti i senatorit Obama. 2009, shton ai, do të jetë një vit i vështirë, që kërkon në krye të Shteteve të Bashkuara një njeri me përvojë.

Analisti Zherka thotë se përvoja është padyshim shumë e rëndësishme, por megjithëse Presidenti Bush ka pasur rreth tij disa nga zyrtarët dhe politikanët më me përvojë në historinë e vendit, politikat e tij, si jashtë ashtu edhe brenda vendit, kanë qenë shkatërrimtare.

"Shtetet e Bashkuara janë në krizë, po ashtu edhe bota e tërë. Prandaj ne kemi nevojë për një politikë të ndryshme nga ajo e tetë viteve të fundit. Ne kemi nevojë për një politikë të uljes së taksave për shtresën e mesme, sepse ajo ka nevojë për ndihmë në Amerikë. Ne kemi nevojë për mbështetje në fushën e arsimit, të shëndetësisë e programe të tjera sociale, që janë shumë të rëndësishme. Prandaj unë besoj se Obama do të bëjë ndryshime në këto aspekte të jetës sonë, ndërsa senatori MekKein nuk do të bëjë ndryshimet që i nevojiten shumicës së amerikanëve, ai do të vazhdojë politikat që ka ndjekur Xhorxh Bushi gjatë tetë vjetëve të Presidencës së tij", vijon ai.

Ekonomia dhe kriza financiare kanë dominuar këtë fushatë presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Analisti i "Washington Times", Donald Llambro, e rendit atë jo vetëm si përparësinë kryesore, por një shtetësim që ka zënë disa vende në listën e prioriteteve të amerikanëve, para se t‘i vijë radha politikës së jashtme.

"Ekonomia është përparësia numër një, dy, tre, katër dhe pesë. Kjo është çështja më e madhe në Amerikë. Ekonomia u ngurtësia edhe në tremujorin e tretë të këtij viti dhe ndoshta do të ngurtësohet edhe më tej në tremujorin e katërt. Ky është përkufizimi i regresionit ekonomik, niveli i papunësisë është ngritur, konsumatorët po shpenzojnë shumë më pak dhe ekonomia është goditur nga disa prej katastrofave më të mëdha, si rënia e tregut të banesave dhe kriza financiare", thekson Llambro. Sipas tij, senatori Obama po e shfrytëzon situatën, thotë analisti i "Washington Times", duke fajësuar administratën "Bush" për këtë dhe duke premtuar se ai do të ishte kandidati i përshtatshëm që do ta ndryshonte krejtësisht gjendjen. Por Donald Llambro i pret me skepticizëm këto premtime.

Mbetet për t‘u parë se çfarë do të bënte realisht senatori Obama po të zgjidhej president, po ashtu siç pritet të shihet se çfarë realisht do të bënte senatori MekKein.

Tiranë

"Po i ndjekim me interes"

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë u ndoqën me interes edhe nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht pozicionimeve të tyre midis kandidatëve, senatorit të Arizonës, republikanit Xhon MekKein dhe senatorit të Ilinoisit, demokratit Barak Obama, ata kanë pritur të emocionuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Sipas tyre, SHBA gjithmonë ka qenë një superfuqi dhe zhvillimet politike atje ndikojnë shumë për fatet e shteteve të vogla, siç jemi ne, një vend që, pavarësisht situatave historike, ka qenë gjithmonë proamerikan dhe properëndimor", u shpreh një banor i Tiranës, duke rikujtuar rolin e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes (Paris, 1919-1920), ku shpëtoi Shqipërinë nga synimet e fqinjëve për të marrë edhe ato territore që kishin mbetur nga Traktati i Londrës më 1913. Historia dëshmon se themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane janë hedhur që nga koha e Nolit.

"Është një vend, të cilit ne si komb i jemi mirënjohës. Politika e saj na solli së fundmi dy gëzime të mëdha. Menjëherë pas atij gëzimi historik, Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, erdhi dhe ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë për në NATO", tha një tjetër banor i kryeqytetit, duke i konsideruar këto ngjarje "si dhurata bujare të SHBA-së për kombin shqiptar".

Zgjedhjet e para presidenciale në SHBA janë mbajtur për herë të parë më 30 prill 1789.

Prishtinë

"Zgjedhjet e një vendi mik"

Zgjedhjet presidenciale dje në SHBA, Kosova i përjetoi si një ngjarje të madhe të demokracisë të një shteti të madh mik. Po dje, në Prishtinë, u mbajt një manifestim me rastin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku foli edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanov, ndërsa atmosfera e zgjedhjeve ndihej kudo që nga mëngjesi, duke qenë edhe lajmi i parë dhe i vazhdueshëm i të gjitha radio-televizioneve kombëtare.

"Kemi garanci se SHBA, vetëm sa do të thellojë bashkëpunimin me Kosovën", deklaroi Kryeministri Hashim Thaçi. "Falënderoj të gjitha administratat që kanë përkrahur Kosovën, nga Presidenti Bush i vjetër, administratën e Klintonit dhe administratën e fundit të Bush. Besojmë plotësisht dhe kemi garanci të plota se e ardhmja e marrëdhënieve Uashington-Prishtinë do të shënojë progres edhe më të thelluar tashmë si dy shtete, sepse tanimë ne kemi edhe ambasadorin tonë atje", theksoi Thaçi.

SHBA-të e njohën Kosovën shtet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe janë vendi i parë nga e gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Ato kanë përfaqësimin e tyre në Kosovë që prej më shumë se 12 vjetësh. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. Ndërkaq, i ngarkuari me punë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka nisur punë në Uashington që nga muaji i kaluar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›