E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari, ‘peng’ i mashtruesve në Kenia

Nga Gerti Xhaja
Prej dy muajsh ndodhet në Kenia. Në vend që të kthehej me paratë, ka qenë familja që i ka dërguar deri më sot 150 mijë euro në Kenia dhe nuk po mundet ta kthejë mbrapsht në Shqipëri 50-vjeçarin 

TIRANE-Lotaritë mashtruese ndërkombëtare në internet duket se kanë "peshkuar" një biznesmen tiranas të prodhimit të mobilieve. R.N., 50 vjeç, ishte njoftuar nëpërmjet internetit se kishte fituar 1 milion paund në një lotari në Kenia. Ka komunikuar në e-mail dhe numrat e telefonit të kompanisë që pretendonte se ishte organizatore e lotarisë, dhe është nisur për në vendin Afrikan për të marrë çmimin e fitues. Prej dy muajsh ndodhet në Kenia. Në vend që të kthehej me paratë, ka qenë familja që i ka dërguar deri më sot 150 mijë euro në Kenia dhe nuk po mundet ta kthejë mbrapsht në Shqipëri 50-vjeçarin. R.N., mësohet se flet rregullisht në telefon me familjen në Tiranë. Fillimisht u ka kërkuar t'i dërgonin "ca" euro, pasi duhej të qëndronte më shumë seç e kishte menduar për të marrë çmimin fitues. Më pas ka kërkuar euro të tjera se kishte pasur probleme shëndetësore, dhe së fundmi, para se kishte rënë në burg në Kenia. Familjarët i kanë kërkuar me këmbëngulje 50-vjeçarit që të kthehet në Shqipëri, por në kontaktin e fundit telefonik të disa ditëve më parë, R.N., i ka siguruar se ishte mirë dhe se ishte në pritje të marrjes së çmimit prej 1 milionë paund. Familjarët e biznesmenit kanë kërkuar ndihmën e policisë së shtetit, për të hetuar dhe zbuluar të vërtetën e lotarisë dhe nëse R.N., është me të vërtetë në gjendje të mirë shëndetësore apo mbahet peng për ta detyruar të kërkojë para nga Shqipëria. Hetuesit e policisë mësohet se kanë nisur verifikimet, duke kërkuar edhe ndihmën e homologëve të tyre në vende të tjera. Mungesa e zyrave të bashkëpunimit në Kenia e ka vështirësuar hetimin e autoriteteve shqiptare. Gjithsesi, burimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë siguruan se kanë kontaktuar vetë me biznesmenin në Kenia. Përveç dyshimeve se ai mund të ketë rënë pre e ndonjë skeme mashtruese, burimet policore siguruan se nuk ka informacione që 50-vjeçarit t'i kërcënohet jeta apo të jetë duke u mbajtur peng nga ndonjë bandë apo organizate kriminale keniane.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›