E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjollët dorëzojnë sot vrasesin e majorit Ngresi

Nga Gerti Xhaja
Sot ne mesdite ekstradohet ne Tirane, vrasësi i majorit të policisë, Ilir Ngresi. Pas 7 vjetësh Spanja ka dhënë miratimin për ekstradimin në vendlindje të Kastriot Jaupit 

TIRANE -Mesdita e të hënës do të sjellë në Shqipëri vrasësin e majorit të policisë, Ilir Ngresi. Pas 7 vjetësh Spanja ka dhënë miratimin për ekstradimin në vendlindje të Kastriot Jaupit, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e majorit të policisë, Ngresi, dhe një mal me akuza të tjera në kuadrin e bandës kriminale të Beratit. INTERPOL Tirana ka fituar betejën me autoritetet italiane, të cilat kërkonin gjithashtu ekstradimin e Jaupit, për shkak të një dënimi me 9 vjet burg për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Lajmi i ekstradimit të kapobandës Jaupi të hënën, në datën 20 tetor, konfirmohet nga burime të sigurta në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Kastriot Jaupi u arrestua nëntorin e vitit 2001 nga policia spanjolle, në afërsi të qytetit të Madridit. Ndalimi u bë pasi dyshohej se u kishte vënë gjobë dy vëllezërve nga Skrapari. Në këtë kohë, Drejtësia Shqiptare u dërgon autoriteteve spanjolle kërkesën për ekstradimin dhe vendimin për masën e sigurisë burg pa afat për Jaupin, nën akuzën e vrasjes së major Ilir Ngresit. Paralelisht, Jaupi kërkohet për ekstradim edhe nga autoritetet e drejtësisë italiane. U mendua se Jaupi mund të ekstradohej drejt Italisë, por vetëm disa ditë më parë autoritetet spanjolle njoftuan INTERPOL Tiranën, se ishte miratuar kërkesa për ta sjellë në Shqipëri.
Kastriot Jaupi
Jaupi ka disa akuza për vrasje e plagosje, por më e rënda është ajo e ekzekutimit në Vlorë të ish-shefit të Krimeve të Beratit, Ilir Ngresi, në dhjetor të vitit 2000. Shkaku ishte rihapja e hetimeve për ngjarjet e vitit 1997 nga Ngresi, por mbarte edhe motive hakmarrjeje. Ngresi kishte marrë pjesë në një operacioni pranë Urës Vajgurore në vitin ’97, kur u vra Ilir Jaupi, vëllai i Kastriotit. Ngresi ishte personi i drejtpërdrejtë që u akuzua nga Jaupajt për vrasjen e Ilirit. Në fakt, përfshirja e Kastriot Jaupit në botën e krimet është më e hershme, kur së bashku me të vëllanë bënte pjesë në bandën e killerit beratas, Altin Dardha. Pazaret sollën hasmëri edhe brenda vetë bandës dhe Kastrioti me të vëllanë u përfshinë në fraksionin kundërshtar të Altin Dardhës. Kastriot Jaupi rezulton i tërhequr nga banda pas vitit ’97, por rihapja e një dosjeje ku ai akuzohej për vrasje, e riaktivizoi. Dosja ishte mbyllur në vitet 1998-1999 dhe u rihap në vitin 2000, pas ardhjes së Ngresit si shef Krimesh në Berat. Si ekzekutor i drejtpërdrejtë është akuzuar edhe Dritan Zhuka, i thirrur me nofkën “Shuaipi”, i cili u vra gjatë një rrethimi të forcave speciale në shtator të vitit 2001. Jaupi, me dokumente false largohet në Maqedoni dhe prej këndej në Itali dhe Spanjë.
Altin Dardha
Kastriot Jaupi me të vëllanë, Ilirin në 24 korrik të vitit 1997, plagosën në një atentat ish-mikun e tyre, Altin Dardha. Ishte koha kur ndarja e zonave të influencës si dhe përfitimet nga gjobat dhe vjedhjet, futën në luftë pjesëtarët e bandës së Altin Dardhës me njëri-tjetrin. Breshëritë e plumbave të lëshuara nga një mitraloz i lehtë dhe Kallashnikov në ‘Kadillakun’ ngjyrë vishnje, “sharruan” mikun e ngushtë të Dardhës, Gazmend Cufen, dhe katër pjesëtarë të bandës së tij. Altin Dardha plagoset me një plumb në qafë. Ndonëse në media u botua se mes të vrarë ishte edhe vetë superkilleri Altin Dardha, ky i fundit, i ndihmuar nga një mik i tij mbërrin në spitalin e Fierit ku shpëton falë ndërhyrjes së saktë të kirurgëve. Pas tetë muajsh killeri, mbi të cilin rëndonin rreth 60 vrasje, do të eliminonte kapon e bandës rivale të Vakëfit, Burhan Tomorrin, i njohur me nofkën “Bujo”, vëllain e këtij, Abdurrahim Tomorri, Behar Eskiu e Kastriot Bejko, ndërsa mbetën të plagosur Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti. Dhe Altin Dardha do e çonte në 100 numrin e të vrarëve nga dora e tij, siç kishte premtuar, nëse vrasës me pagesë nuk do ta eliminonin dhe digjnin në Greqi, në 28 shkurt 1998.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›