E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve për shkak të lojërave politike

Avokatët e Segjinit e Koldashit

Refuzojnë paraqitjen e provave në këtë proces gjyqësor, me pretendimin se akuzat janë amnistuar dhe se me akuzat e reja të ngritura, prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re. Gjithashtu, në të njëjtën kohë, avokati mbrojtës i Arben Sefgjinit deklaroi dje se dosja e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha u rihap për shkak të lojërave politike ku u përfshi organi i akuzës. Në seancën ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, avokati Zef Nika tha se prokuroria nuk ka asnjë provë të re për të vërtetuar akuzat. Të njëjtën linjë mbajti dhe i akuzuari Avni Koldashi, i cili pretendoi se akuzat ndaj tij janë politike, ndërsa përmes avokatit ka pohuar se në këtë çështje vetëm sa ka zbatuar urdhrin, duke shoqëruar Hoxhën dhe më pas është larguar. I pandehuri i katërt, Ilir Kumbaro, i cili përfaqësohej përmes avokatit të tij pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, kërkoi nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që është hedhur poshtë nga akuza. Me gjithë pretendimet e avokatëve të të pandehurve, trupi gjykues vijoi seancën dhe vendosi të thërrasë ditën e hënë për të dëshmuar gruan dhe djalin e biznesmenit Hoxha. Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi akuzohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›