E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtepite, dyfishohet kostoja, ulet 60% kreditimi

Një ofertë për kredi për shtëpi në euro nuk mund ta gjesh me më pak se 8.5-9% interes vjetor. Kredia e re për pasurinë e paluajtshme për gjashtëmujorin e parë 2009 u ul me 62%. 

TIRANE-Qeveria nuk pranon se ekzistojnë pasoja të krizës botërore në Shqipëri, por shqiptarët e kanë më të vështirë sivjet të marrin kredi për shtëpi apo objekte të tjera të pasurisë së patundshme krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në total kredia e dhënë për individë për blerje të pasurive të paluajtshme ishte 8 miliardë lekë në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2009, nga rreth 20 miliardë lekë që ishte në 6 muajt e parë të 2008-ës. Rënia rezulton në masën 57%. Deri në mesin e vitit të kaluar, bankat i joshnin klientët me oferta kredish për shtëpi, që arrinin edhe 5% në vit në euro. Aktualisht, një ofertë për kredi për shtëpi në euro nuk mund ta gjesh me më pak se 8.5-9% interes vjetor, ndërsa edhe më e vështirë është të të akordohet nga banka një kredi në euro, nëse të ardhurat i ke në lekë. Kredia në euro për pasuri të paluajtshme për individët ka rënë me 72% me bazë vjetore në 6-mujorin e parë 2009, por dhe huaja në lekë për këtë qëllim ka rënë me 22%. Në total, kredia bankare e dhënë për individët shënoi një rënie me bazë vjetore prej rreth 40% në 6-mujorin e parë 2009, ku efektin kryesor e dha rënia e huasë për shtëpi. Në totalin e kredisë për individë, peshën më të madhe gjatë 6 muajve të parë të vitit 2009 e zuri përsëri sektori i pasurive të paluajtshme, me rreth 40% të totalit, nga 56% që ishte kjo peshë në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Kredia e re për pasurinë e paluajtshme për gjashtëmujorin e parë 2009 u ul me 62% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008-ës, duke përbërë sektorin me rënien më të lartë të huasë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›