E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shteti shqiptar të paguajë 4800 mësuesit shqiptarë në Greqi”

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Ai është i pari shqiptar që ka folur në Parlamentin grek, duke guxuar të mbrojë me ndjenja të forta patriotizmi çështjen e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët emigrantë shqiptarë në Greqi. “Një çështje kombëtare e quan z.Jovan Mëhilli, mësimin e gjuhës amë për fëmijët e emigrantëve tanë në Greqi. Si drejtues i Këshillit Pedagogjik të Mësuesve të Gjuhës Shqipe në Greqi, ai ka sakrifikuar 10 vite nga jeta e tij për ti dhënë jetë një shoqate në mbrojtje të gjuhës shqipe në një shtet të huaj. Për 10 vite me radhë ai është rropatur të krijojë Shoqatën e Mësuesve Shqiptarë, duke mbledhur jo pa qëllim mësues nga të gjitha qytetet shqiptare, që nga Vermoshi e deri në Konispol, sepse kjo, siç thotë ai, tregon qartë se e gjithë Shqipëria është pro mësimit të gjuhës amë për fëmijët emigrantë. Këtyre mësuesve u është dashur të përballen edhe me gjyqe greke për të mbrojtur “të vetëm” çështjen e gjuhës shqipe, dhe fundi ka rezultuar fitore e dyfishtë për ta. Jo vetëm që Gjykata e deri Ministria e Arsimit në Greqi u ka dhënë të drejtë, por kanë bërë për vete edhe intelektualë grekë me profesion mjekë e juristë, të cilët kanë shprehur dëshirën për të mësuar gjuhën shqipe me mësues shqiptarë. Jo pak arritje për kombin tonë në Greqi, ku shpesh herë nota të ashpra racizmi kanë shpërthyer nga grekët! Por si janë shpërblyer dhe motivuar këta mësues nga shteti shqiptar, çfarë po bën shteti shqiptar dhe konkretisht MASH për të mbrojtur dhe ndihmuar mësuesit shqiptarë në Greqi. Deri më tani asgjë. Për 10 vite me radhë ata kanë marrë vetëm premtime dhe vlerësime morale nga ministrat shqiptarë. Jo vetëm që nuk është mundësuar një rrogë për këta mësues, por as tekste shkollore nuk ka, ndihma ka qenë qesharake: 400 abetare për 120 mijë fëmijë?! A mund të quhet kjo mbështetje?... Le të lexojmë rrëfimin e z. Jovan Mëhilli, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Ballkan”, se çfarë ndodh realisht me mësimin e gjuhës shqipe në Greqi dhe çfarë premtimesh mori ai gjatë vizitës dhe takimeve që pati dy ditë më parë në Shqipëri me krerë të shtetit shqiptar...

Zoti Mëhilli, ju jeni drejtues i Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, na tregoni se kur dhe si është themeluar ky grupim dhe cilat janë objektivat tuaj?
Qysh nga viti 1998 u krijua bërthama e parë e këtij grupimi të mësuesve shqiptarë në Greqi, kursi apo grupi i parë i mësimit është hapur më 7 mars 2001 në Selanik, ndërsa tani janë 60 kurse gjithsej, të shpërndara në të gjitha qytetet kryesore të Greqisë. Ne kemi mundur të krijojmë Këshillin Pedagogjik me mësues të gjuhës shqipe ku janë kryer edhe disa seminare. I pari seminar u bë në Athinë, i dyti në Selanik, i treti në Korinthi, ndërsa i katërti diskutim do të vendoset për në Athinë ose Kretë, sepse duhet të kalohet një lloj testimi. Në kemi marrë pjesë në tre seminare të Diasporës në Durrës në vitin 2007, në vitin 2008 në Strugë të Maqedonisë, në 2009-ën në Mitrovicë të Kosovës, ndërsa seminari i radhës pritet të zhvillohet në muajin korrik të këtij viti në qytetin e Vlorës.

Sa mësues japin mësim në këto kurse dhe a paguhen ata?
Mua, personalisht, më kanë treguar disa pedagogë grekë, të cilët japin mësim të gjuhës greke në Gjermani, se paguhen me dy rroga mujore nga shteti grek. Ndërsa mësuesit shqiptarë në Greqi, prej 10 vitesh punojnë vullnetarisht për dhënien e mësimit të gjuhës shqipe të 120 mijë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kolegët tanë grekë u çuditën, ndërsa mësuan për situatën tonë. “Ju duhet të shënoheni në historinë botërore”,- na thanë ata.
Jo të gjithë e dinë faktin që mbi 120 mijë fëmijë të emigrantëve shqiptarë janë ulur në bankat e shkollave greke dhe mësojnë gjuhën vendase, atë greke. Këta fëmijë i përkasin sistemit 9-vjeçar, pa llogaritur numrin e studentëve dhe të një liceu tjetër 9-vjeçar. Nëse bëjmë një konvertim, për këta 120 mijë fëmijë duhen të paktën mbi 4 mijë mësues. Por që të sistemohen në shkolla në godina duhen deri në 150 shkolla apo godina me 2 deri në 3 kate, do të duhen mbi 4 mijë e ca mësues, plus materiale të tjera shkollore si banka dhe karrige, plus librave, pra të kthyera në vlerë leku do të duhen miliona euro. Në Greqi fëmijët shqiptarë mësojnë në klasa të përziera me fëmijë grekë dhe të komuniteteve të tjera, por të gjitha i kanë gati, duke nisur që nga librat e shkollës e deri te çanta e shkollës, në të gjithë ciklin e detyruar, (6-vjeçar). Fëmijët tanë janë nga më të mirët në Greqi, kanë shkëlqyer në shumë olimpiada, të matematikës fizikës e lëndë të tjera. Shteti grek, aktualisht, nuk ka një ligj që të përgjigjet apo të detyrohet ligjërisht për mësimin e emigrantëve në gjuhën amë. Konventat janë firmosur, por nuk janë detyrim për shtetin grek, çdo shtet e zbaton konventën në kohën e duhur dhe kur ai ka mundësi ekonomike etj.

A janë ndaluar apo përndjekur mësuesit shqiptarë që japin mësim në gjuhën shqipe në Greqi? Mund të na tregoni ndonjë rast?

Po, ka ndodhur. U bë një gjyq më 22 janar të këtij viti (2010) për një mësuese shqiptare nga Vlora, e cila jepte mësim në gjuhën shqipe, si dhe ndaj drejtoreshës së shkollës. Zysha shqiptare jepte mësim të gjuhës shqipe në një shkollë greke dhe drejtori grek e dënoi si shkelje këtë përpjekje të saj. Në këtë shkollë u grupuan 125 fëmijë shqiptarë që mësonin shqip, në fundjavë, duke shfrytëzuar ambientet e shkollës greke. Për këtë, drejtori i ngriti padi për ndjekje penale mësueses shqiptare dhe ish-drejtoreshës që e kishte qenë para drejtorit në fjalë. Sipas tij, mësuesja dhe ish-drejtoresha kishin shkelur rregullat, duke shfrytëzuar shkollën greke për ti dhënë mësim një komuniteti (në këtë rast shqiptarët) që të mësonin gjuhën amë (shqipe). U zhvillua seanca gjyqësore sipas rregullave, dhe prokurori i kësaj çështjeje deklaroi paraprakisht se nuk e kuptonte se çfarë ligji kishin shkelur këto ty mësuese, ai gjykoi dhe tha se çdo të ndodhte, nëse një rast i tillë do të përsëritej me mësuesit grekë në Gjermani, SHBA, apo shtete të tjera, nëse ata kërkonin tu mësonin greqisht emigrantëve grekë. Pra, ngriti pyetjen se çdo të ndodhte, do të diskriminoheshin, do të dënoheshin, do të persekutoheshin. Sipas tij, nuk kishte asgjë të keqe nëse këta njerëz donin të mësonin gjuhën e nënës. Për të, ky diskriminim u përket shekujve të kaluar, prokurori mbështeti çështjen e mësueses shqiptare dhe tha se një akt i tillë, përkundrazi, duhej dekoruar. Por jo vetëm kaq, vendimi i gjykatës pro mësueses shqiptare u përshendet publikisht edhe nga ministrja e Arsimit në Greqi, Ana Dhiamantopullos. Më pas, ne shqiptarët dolëm me një shkrim: “Fitoi gjyqi i gjuhës shqipe”. Po kjo është çështje orësh dhe ne presim ligjërimin e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, që të mos kemi probleme me ligjin, siç ndodhi edhe me rastin e mësueses nga Vlora. Ne, nga një Këshill Pedagogjik të paligjëruar, krijuam statutin tonë, futëm dokumentet në gjykatë dhe vendosëm ta ligjërojmë dhe ta quajmë shoqatën tonë “Shoqata e Mësuesve Shqiptarë në Greqi”, duke hequr kësisoj fjalën emigrantë dhe jo pa qëllim, pasi në të ardhmen kjo fjalë nuk do të vlejë më, ajo është kalimtare, kur shqiptarët të integrohen në BE dhe të asimilohen së qeni emigrantë, fjala emigrantë, një ditë, nuk do të kërkohet më. Ndërsa kjo shoqatë duhet të trashëgohet në brezat që do të vijnë dhe puna jonë nuk duhet të harrrohet, por të trashëgohet. Ky emër do të ketë një jetëgjatësi me shekuj, sepse këtë organizim qe ne kemi bërë plot sakrifica, nuk mund ta bëjnë nipërit tanë.

Po si është rregulluar stafi i Shoqatës suaj?
Ne kemi mbeldhur mësues nga të gjitha qytetet e Shqipërisë: Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Himarë, Dropull (minoritet) e deri në Tropojë etj. Këta mësues janë nismëtarë të kushtetutës (statutit të shoqatës), sepse të gjithë këta e duan gjuhën shqipe. Mësuesit dhe grupet me nxënës janë shpërndarë kudo në Greqi, Athinë, Samos, Kretë, Janinë, Janica etj, pothuajse kemi “pushtuar” të gjithë Greqinë, nuk ka fshat në Greqi që të mos ketë një grupim me të paktën 10 fëmijë shqiptarë. Madje, një mësues në fshtain Saranthi, veç fëmijëve shqiptarë, në grupin e tij ka edhe fëmijë grekë, të cilët kanë dëshirë të mësojnë shqip. Ju rrëfej se atje u festua 7 Marsi me fëmijët shqiptarë bashkë me ata grekë (por 70 % e tyre janë me origjinë arvanitase). Por edhe prindërit e këtyre fëmijëve janë shumë të afruar me familjet shqiptare.

Në një farë mënyre, ju po thoni se ka edhe shtetas grekë që janë të interesuar, qoftë edhe për kulturë, të mësojnë gjuhën shqipe nga mësues shqiptarë?
Po, veç fëmijëve ka edhe të rritur, madje, njerëz intelektualë me profesion juristë, doktorë, ekonomistë etj. Ata kanë shfaqur interes për të mësuar gjuhën shqipe, për të cilët ne kemi krijuar dy grupe të veçanta për mësimin e gjuhës shqipe. Madje, ata janë ofruar që ti paguajnë vetë mësuesit që u japin mësim në shqip. Në takimin e fundit që unë kam bërë me një avokat grek, ne kemi biseduar në shqip, sepse ai kishte mësuar shqip prej dy vitesh tashmë.

Ardhja juaj në Tiranë ishte jo pa qëllim, ju keni disa probleme serioze për të cilat kërkoni mbështetjen e MASH dhe të qeverisë shqiptare. Konkretisht, cilat janë kërkesat tuaja drejtuar Ministrisë së Arsimit?
Këto kërkesa janë përsëritur për dhjetë vite me radhë, ku primarja për ne është ngritja e një drejtorie emigracioni në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, që të merret me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë dhe në Emigracion, pasi janë 1/5 e familjeve shqiptare atje, me mbi 500 mijë fëmijë shqiptarë që duan të mësojnë gjuhën amtare. Kush do të interesohet për këta fëmijë që duan të mësojnë shqip? Vetë qeveria greke në Ministrinë e Arsimit ka gjysmën e katit për grekët në emigrim, ndërsa mësuesit që mësonin greqisht jashtë vendit, trajtoheshin me dy rroga shteti në muaj dhe dy paga shpërblim në vit, udhëtimet i kanë falas dhe 20 ditë pushim nga shteti. Ndërsa ne shqiptarët e premë biletën me lekët tona, sepse shteti ynë nuk sponsorizon asgjë. Ne kemi kërkuar që kjo drejtori, që do të ngrihet, të jetë funksionale dhe të mos varet politikisht, çka do të thotë se këta njerëz specialistë që do të punësohen, të mos ndryshojnë, sepse sa herë që unë kam ardhur në Shqipëri, kam gjetur katër specialistë të ndryshëm në 3 vite, të cilët, nëse vazhdojnë të ndryshohen, duhet të njihen nga e para me problematikën tonë. Mësimi i gjuhës shqipe bëhet pasdite, privatisht ose në fundjavë, kur nuk nxënësit kanë mësim të detyruar, sepse paradite fëmijët shqiptarë mësojnë në shkollat greke dhe ndjekin mësimin normal. Ne kemi planifikuar që, duke u mbështetur në një marrëveshje të 4 nëntorit të vitit 1998 ndërmjet dy ministrive të Arsimit Shqipëri-Greqi, të firmosur nga dy ministrat e asaj kohe, ( ku ministri ynë ishte Ethem Ruka), unë kam qenë në atë grup ku ishim të ftuar dhe në një nga pikat e kësaj marrëveshje që u frimos mes dy shteteve fqinje, thuhej se do të shikohej mundësia e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët emigrantë shqiptarë në Greqi, por ndërkohë reciprokisht edhe qeveria jonë kishte të njëjtat detyrime edhe për palën greke, ku pala greke nguli këmbë në këtë çështje dhe i realizoi. Pra hapi shkolla greke në Shqipëri atje ku vetë Greqia dëshironte (përfshirë edhe Himarën), për ne kjo nuk është shqetësuese, por pala greke, duke shfrytëzuar indiferentizimin e palës sonë, nuk bëri asgjë në realizimin e kësaj pike të kontratës, dhe ne kërkojmë që kjo pikë e marrëveshjes të rinovohet dhe që mësimi plotësues i gjuhës shqipe me fëmijët e shqiptarëve në Greqi të zyrtarziohet përkundrejt një orë e gjysmnë deri në dy orë në javë në shkollat greke. Mësimi i gjuhës greke në zonat që ata pretendojnë se janë minoritet organizohet, drejtohet dhe paguhet nga shteti shqiptar, atëherë të njëjtën gjë kërkojmë dhe ne, sepse edhe afati kohor është konsumuar dhe ne nuk mund të jemi tërë jetën emigrantë, shumë shqiptarë kanë mbushur 10 vjet në Greqi dhe kanë të drejtë të marrin nënshtetësinë shqiptare.

Duke qenë se deri më tani nuk keni pasur mbështetje nga të dyja shtetet për të siguruar godina shkollore, atëherë si i keni siguruar ambientet, ku zhvillohet mësimi i shqipes për emigrantët shqiptarë?
Aktualisht, ambientet i kemi siguruar privatisht, me forcat tona, edhe me njohjet tona shoqërore, për shembull, në Selanik na lejuan të hyjmë në ambientet e Universitetit, në një tjetër qytet na ka liruar një ambient Bashkia, edhe në Korinthi kemi përfituar ambiente në këtë mënyrë, në Athinë një zotëri shqiptar, L.Koka, (që e falenderojmë), na ka liruar një ambient privat për ta shfrytëzuar si klasë mësimi të gjuhës shqipe, madje edhe me të gjitha kushtet e nevojshme, edhe një çift amerikan na ka lënë një kat të tërë në dispozicion. Por mësimi i gjuhës shqipe është kryer edhe në shtëpi, në familjet e emigrantëve shqiptarë. Për ne është e rëndësishme që edhe një fëmijë i vetëm të shpëtojë, dhe të mësojë gjuhën e nënës, ky është organizimi ynë me plot sakrifica. Ministrja greke ka deklaruar publikisht që do të na ndihmonte me ambiente, (në një takim që ne patëm). Pra ne kërkojmë që një orë mësimi në shqip të paguhet dhe të jetë e njëvlefshme me një orë mësimi këtu në Shqipëri, ne nuk duam superpagesa. Shkurt, kërkojmë që puna e mësuesit të vlerësohet. Gjithashtu, kërkojmë që koha apo orët e punës që mësuesi jep mësim, të llogaritet si vjetërsi pune (për pension pleqërie). Gjithashtu, kërkojmë që të ketë tekste të veçanta për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në emigracion dhe në Diasporë, sepse duhen më të integruar dhe më plotësuese. U kemi thënë shtetarëve tanë që ju e keni për detyrë ti hartoni këto tekste ose, nëse nuk mundeni ti bëni, na i lini neve, na jepni neve tenderin me konkurrim, kush të meritojë le të fitojë. Ne kërkojmë një dokument ligjor (dëftesë) i cili të faktojë që një fëmijë, i cili mbaron këto kurse të gjuhës shqipe, të certifikohet dhe të tregojë që është i aftë të zotërojë këto njohuri. Në takimin që ne patëm me zv.ministren e Jashtme shqiptare, Edit Harxhi, na u premtua ngritja e një Qendre Kulturore Shqiptare në Greqi për vitin që vjen, ku ne të kemi zyrat tona qendrore në Greqi, që të drejtojmë të gjithë sistemin, sepse tashmë jemi të ligjëruar, sepse ne tashmë kemi një stemë të ligjëruar, një vulë të ligjëruar, kodin tonë, se kudo që të vemi, të themi që unë jam mësues në këtë shoqatë shqiptare. Pra, mjafton të thuash kodin dhe emri yt dhe funksioni të del në program në çdo vend të Evropës që do të takojë të vizitosh, dhe e gjithë kjo punë është bërë vullnetarisht, të gjitha këto sa përmenda më sipër, ne i kërkuam nga shteti shqiptar dhe ne i bëmë prezente edhe në MASH dhe i lamë gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të mbështetur këto kërkesa, sepse kjo nuk është një çështje personale, por një çështje kombëtare. Zonja Harxhi pranoi se të gjitha këto janë të vonuara dhe se do të konkretizohen shumë shpejt, ajo na tha se “unë do të jem pjesë e stafit tuaj dhe do ti kërkoj këto kërkesa një më një”. Gjithashtu, në vijim të kërkesave tona kërkuam një Konsullatë në Kretë, sepse shqiptarët vuajnë shumë aty, janë gati 100 mijë shqiptarë dhe 22 mijë fëmijë dhe Harxhi na premtoi që deri në janar 2011 do të jetë gati kjo konsullatë. Pra, ardhja jonë këtu ishte për ti tundur edhe një herë organet tona qeveritare, që të lëvizin dhe të realizojnë kërkesat tona. Është qesharke që neve na japin në vit vetëm 300-400 abetare për mijëra fëmijë që duan të mësojnë shqip. Kërkesa për tekste shkollore u është drejtuar ministrive përkatëse me numër protokolli, në emër të 4800 mësuesve të gjuhës shqipe. Pra ne kërkojmë për fëmijët shqiptarë mësim plotësues, që do të thotë pak program nga gjuha, letërsia, historia, gjeografia shqipe dhe pak njohuri për Kosovën.

Nisur nga përvoja juaj pedagogjike në Greqi, a mund të na thoni nëse diskriminohen studentët shqiptarë në dhënien e titujve të diplomave? A është e njëjtë diploma që marrin studentët shqiptarë me studentët grekë në momentin e diplomimit?
Jo, absolutisht, nuk ka diskriminime dhe ndarje të tilla, por problemi qëndron vetëm te puna. Diploma si format nuk ndryshon as nga ngjyra, as nga forma dhe as nga madhësia e gërmave. Diksriminimi ndodh në momentin e punësimit në profesionin për të cilin kanë mbaruar universitetin studentët shqiptarë, ose kërkohet si kusht që njëri nga prindërit të ketë origjinë greke. Unë para dy vjetësh mbajta një fjalim në Parlamentin grek, me ftesë të vetë kryetarit të Paralamentit, (fjalim që është dhënë edhe në TV greke), dhe di që jam i pari shqiptar që kam hyrë dhe kam folur në Parlamentin grek), për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Unë kam krijuar bindjen se opinioni qytetar dhe politika greke mban qëndrim shumë pozitiv për emigrantët shqiptarë, ndërsa rastet e racizimit egzistojnë, por nuk mund të përgjithësohen. Kjo, pasi edhe në Shqipëri, brenda vetë shqiptarëve, ka grindje dhe konflikte për prona, martesa etj. Greqia dihet që e ka të theksuar racizimin, pasi ata i mbrojnë shumë çështjet kombëtare, por ne flasim për politikë dhe për njerëz intelektualë të shoqërisë greke.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›