E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen infeksionet respiratore tek fëmijët

Numri i personave të infektuar nga virusi A/H1N1 vijon të mbetet ende 34 dhe se të gjitha këto raste janë të shëruara. Por, ajo që vihet re për këtë javë është se janë shtuar rastet e infeksioneve respiratore tek fëmijët 

TIRANE-Në buletinin e përjavshëm të Institutit të Shëndetit Publik në lidhje me ecurinë e gripit të derrit, thuhet se situata në vendin tonë paraqitet e qetë. Numri i personave të infektuar nga virusi pandemik A/H1N1 vijon të mbetet ende 34 dhe se të gjitha këto raste janë të shëruara. Por, ajo që vihet re për këtë javë është se janë shtuar rastet e infeksioneve respiratore tek fëmijët. "Kemi një rritje të numrit të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një trend në rritje të numrit të infeksioneve respiratore, sidomos tek moshat fëmijërore. Situata po ndiqet nga ana e ISHP-së dhe nuk kemi raste të shpërthimeve epidemike për gripin", -bëjnë të ditur specialist të ISHP-së. Sipas të dhënave të këtij instituti, deri në datën 1 tetor 2009 janë marrë 819 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri me i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Por, ajo që shqetëson më shumë mjekët janë muajt që do të vijnë, pasi në këto muaj pritet që të ketë një shtim të rasteve për shkak se në periudhën tetor, nëntor, por dhe dhjetor, përhapet edhe gripi sezonal. "Gjatë këtyre muajve pritet që të ketë më shumë raste të dyshuara, për shkak se do të jenë në qarkullim edhe viruset e gripeve sezonale. Por, qytetarët nuk duhet të neglizhojnë simptomat e para, sepse kapja në kohë e sëmundjes sjell një shërim më të shpejt dhe më të sigurt", - bëjnë të ditur specialistët.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›