E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen përdoruesit e kartave bankare

18/04/2011  Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja për vitin e kaluar është 20 për qind

Raporti, mbi 95 për qind e kartave bankare janë karta debiti

Numri i përdoruesve të kartave bankare kanë ardhur duke u rritur. Vitin e kaluar numri i shqiptarëve që kanë një kartë debiti apo krediti ka qenë më i madh, krahasuar me 2009-ën. Gjithsesi, mbi 95 për qind e kartave bankare që janë në qarkullim janë karta debiti, që shërbejnë për të tërhequr pagesën mujore nëpërmjet bankës. Zgjerimi i përdoruesve të sistemit elektronik bankar shkon në përputhje me një nga objektivat e Bankës së Shqipërisë, që është sigurimi i efiçencës së pagesave, ku përfshihet zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike. Kështu, Banka e Shqipërisë synon gjithmonë e më tepër në përhapjen e kulturës së pagesave përmes sistemit elektronik. Në funksionin e Mbikëqyrjes së Sistemit Kombëtar të Pagesave, ky institucion është angazhuar për arritjen e dy objektivave kryesore: stabiliteti dhe efiçenca e sistemit të pagesave në Shqipëri. Këtu përfshihen edhe instrumentet e pagesave. Ekspertët e BSH-së theksojnë se hapi i parë për nxitjen e tregut të pagesave me mjete alternative elektronike është reduktimi i cash-it nga njësitë e tregtimit. Sipas tyre, reduktimi i kësaj “barriere” do ta bënte konsumatorin dhe investitorin që të kishin interes në përdorimin dhe ofrimin e instrumenteve të reja pagesash dhe në të njëjtën kohë ofrimin e garancive për sigurinë e kryerjes së pagesave me mjete elektronike. Përdoruesit e sistemit elektronik bankar sa kanë ardhur dhe janë shtuar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë evidentojnë se për vitin e shkuar kjo rritje shkoi në rreth 20 për qind përdorues më tepër. Pjesa dërrmuese e kartave, rreth 95% e tyre, janë karta debiti për tërheqjen e parave nga llogaritë individuale. Por kohët e fundit, në rritje paraqitet edhe përdorimi i kartave të kreditit. Rritja e numrit të kartave është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të bankomateve dhe pikave të shitjes elektronike. Nga 16 banka që operojnë në vend, 14 janë të licencuara për të ofruar shërbimin e tërheqjes cash nga bankomatet. Nga bankat që emetojnë karta, vetëm 8 banka janë njëkohësisht të licencuara edhe si pranuese kartash, pra ofrojnë shërbimin e pagesave me karta nëpërmjet POS të vendosura në dyqane dhe qendra tregtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›