Shtohen shqetësimet për eurozonën

Rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm për periudhën prill-qershor në eurozonë, duke ngjallur shqetësime të reja për një recesion global. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi u takuan sot për të diskutuar mbi rrugët e përmirësimit të ekonomisë. Ata po përpiqen të bindin investitorët se qeveritë evropiane janë duke bërë sa duhet për të zbutur shqetësimet e borxhit në Itali, Spanjë dhe vende të tjera.
Bashkimi Evropian njoftoi sot se ekonomia e 17 vendeve që përbëjnë eurozonën u rrit vetëm 0,2 për qind në tremujorin e dytë, pra sa një e katërta e rritjes në tre muajt e parë të vitit. Ekonomia gjermane, më madhja e Evropës, u rrit vetëm 0,1 përqind.
Analistët thonë se perspektiva e dobët ekonomike mund t’ua bëjë më të vështirë qeverive të rënduara me borxhe të shmangin nevojën për paketa të tjera ndërkombëtare të shpëtimit financiar, si ato që i janë dhënë Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë.
Ekspertët shprehën habi lidhur me shifrat e reja që tregojnë rënie të rritjes në Gjermani:
"Disa investitorë kanë qenë mjaft të shqetësuar për gjendjen ekonomike në botë por të gjithë shpresonin se për Gjermaninë ky do të ishte një vit shumë i mirë. Prandaj jemi mjaft të habitur dhe të shqesuar për shifrat e reja të GDP-së në Gjermani,” thotë eksperti Oliver Roth.
Ndërkohë, edhe euroja pësoi rënie duke i shtuar shqetësimet rreth gjendjes së ekonomisë globale.
Rënia e rritjes ekonomike në Evropë është një tregues më shumë i ngadalësimit të ekonomisë globale. Shtetet e Bashkuara me ekonominë më të madhe në botë, po përballen gjithashtu me një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe me një debat të ashpër rreth mënyrave për të frenuar deficitin.