Debutim magjik

Sergio Aguero është i vendosur ta vazhdojë fillimin sensacional të eksperiencës në Manchester City. Përforcimi më i ri dhe më i shtrenjtë në histori të Cityt debutoi të hënën mbrëma nga bankina, për të shënuar dy gola dhe për të dhuruar një asistim, në fitoren 4:0 ndaj Swansea Cityt, në ndeshjen e fundit të xhiros së parë në Premierligë.
Sulmuesi argjentinas, i cili nuk u paraqit në Community Shield ndaj Manchester Unitedit, u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të në Etihad Stadium, për ta treguar menjëherë veten.
“Jam i lumtur. Fillimi ishte mjaft i mirë dhe unë dëshiroj ta mbaj këtë ritëm. Ishte bukur. Kisha mundësi të luaj pak, por i shijova këto momente. E ndihmova ekipin dhe dëshiroj ta bëj të njëjtën gjë edhe në të ardhmen”, theksoi 23-vjeçari për televizionin e klubit, City TV.
Aguero e nisi më vonë fazën përgatitore, pasi që ishte pjesë e Argjentinës në Copa America, kah mesi i korrikut. ‘Kun’ nuk është ende në formën më të mirë, por ai shumë shpejt do të jetë 100 për qind. “Trajneri e di se në çfarë gjendje jam. Për mua ishte OK të luaj 30-35 minuta”, shtoi ai.
Argjentinasi mori përkrahje edhe nga fansat e tij të rinj, në klubin anglez. “E vetmja mënyrë për t’i falënderuar ata është fusha. Do të mundohem ta bëj më të mirën për këtë ekip”, vazhdoi Aguero.
Atë e lavdëroi edhe menaxheri Roberto Mancini, i cili mbeti i mahnitur me paraqitjen e Agueros. “Aguero është fantastik, është i ri dhe për ne do të jetë vendimtar. Ai nuk është ende 100 për qind dhe vjen nga Copa America, duke u munduar ta gjejë formën më të mirë. Ai është fenomenal, gjithsesi”, theksoi trajneri italian.
Golat e tjerë për Cityn të hënën mbrëma i shënuan David Silva, me asistime të Agueros dhe Edin Dzekos. Aguero duket se është zëvendësuesi ideal i Carlos Tevezit, i cili me gjasë do të largohet nga Manchester City, me destinacion të mundshëm Interin.