E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen vendet e punes ne SHBA

Lajme të mira për Obamën dhe qeverinë amerikane. Gjatë muajit shkurt ekonomia e SHBA ka krijuar 227 mijë vende të reja pune. Sipas departamentit amerikan të punës norma e papunësisë qëndron në niveline 8,3%. Kjo është norma më e ulët në tre vitet e fundit që në shumicën e rasteve është arritur nga fakti që gjithnjë e më shumë amerikan kanë hyrë në forcën e punës. Shtimi i numrit të vendeve të reja të punës është më i lartë se pritjet e ekonomistëve amerikanë . Bizneset në vend kanë pranuar në punë 233 mijë persona, ndërsa paga mesatare për orë pune është rritur me 0,1%. Nëse do të merrej në konsideratë norma e rritjes në tre vitet e fundit del se numri i të punësuarve është më i lartë që nga 2006. Rimëkëmbja e sektorit të punësimit po kontribuon në shtimin e pagave, ndërkohë që me rritjen e pagave rriten edhe shpenzimet e konsumit. Kreu i Rezervës Federale Ben Bernake ka thënë se është ende herët për t’u gëzuar me këto rezultate. Sipas tij tregu i punës mbetet ende larg niveleve që mund të konsiderohen normale, një sinjal ky që autoritetet e politikës monetare vazhdojnë ta quajnë të nevojshme mbajtjen në nivelet më të ulëta historike të normës bazë të dollarit. Gjithsesi këto të dhëna kanë shtuar optimizmin e kompanive amerikane për rimëkëmbjen e vendit. Sipas ekonomistëve ka një ndjesi të madhe se kërkesa për produktet e tyre do të jetë e mirë edhe në muajt në vijim. Shifrat e departamentit amerikan të punës janë mirëpritur me favor edhe nga tregjet financiare të Wall Streetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›