Shtyhet La Liga

Nuk luhet në Spanjë. Nuk është arritur asnjë marrëveshje ndërmjet futbollistëve dhe Ligës së klubeve spanjolle, kështu që kërcënimi i një greve i 11 gushtit është bërë realitet të mërkurën. Andaj, La Liga e Segunda Division nuk do të fillojë këtë fundjavë. Kjo nuk është diçka tragjike në Spanjë, pasi që në të kaluarën kampionati ishte shtyrë disa herë: 1979, 1981 e 1984.
Por, 27 vjet janë shumë dhe më në fund u përsërit historia. Asociacioni i futbollistëve spanjollë (Afe) duket se ka arsye. Mosmarrëveshjet që sollën këtë problem kanë të bëjnë me një borxh që ka Liga e klubeve (LFP) ndaj 200 lojtarëve dhe 42 klubeve nga La Liga dhe Segunda Division, prej 52,8 milionë eurosh.
Propozimi i LFP ishte që ta kryente obligimin me rata, për katër vjet, nga 10 milionë euro. Mirëpo, AFE konsideron se 40 milionë nuk janë të mjaftueshme, plus nuk u konvenon periudha, e cila iu duket mjaft e gjatë. Në konferencën për shtyp, ishin të pranishëm 103 futbollistë, ndër ta edhe ata të njohur si Casillas, Puyol e Xabi Alonso. Për xhiron e parë vetëm se është konfirmuar greva, kurse për të dytën do të shikohet. Bisedimet mund të rifillojnë të premten.