E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon përdorimi i armëve në ahengje

Nga Express më 17 gusht 2011 në ora 19:30

Përdorimi i armëve nëpër ahengje vazhdon të jetë dukuri shqetësuese. Pavarësisht fushatës sensibilizuese për parandalimin e kësaj dukurie, të dhënat e policisë tregojnë se armët janë përdorur shumë gjatë ahengjeve këtë verë.

Vetëm për një muaj policia ka konfiskuar 150 armë, megjithatë më shqetësuese janë raste kur nxënësit marrin armë në shkollë.

Fushata sensibilizuese kundër të shtënave me armë nëpër ahengje, nuk ka arritur të parandalojë këtë dukuri.

Në një debat në Prishtinë të organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), me temën: ”S''ka gëzim, as mahi me allti. Mos gjuaj!”, u shfaqen shqetësime se të shtënat me armë në ahengje, kanë rrezikuar edhe jetën e njerëzve, duke përfshirë edhe fëmijë.

Problem mbetet mosfunksionimi i duhur i gjykatave. Rifat Marmullaku, ekspert i çështjeve të sigurisë thotë se është e vështirë për Policinë e Kosovës të ndërhyjë nëpër ahengje duke i ditur traditat. Por ai tha se ky problem duhet të trajtohet edhe nga gjykatat.

”Mendoj se duhet të veprohet në një dimension nacional të ndërtohet një strategji nacionale ku do të përfshihej edhe vetëdijesimi dhe edukimi”, tha ai.

Gjatë debatit u ngritën edhe shumë çështje të tjera siç është përdorimi i armëve nga nxënësit nëpër shkolla. Arbesa Aliu, nxënëse e një shkolle nga komuna e Gjilanit tregoi përvojën e hidhur kur një shok klase ka marrë armë me vete në shkollë.

Në debat u tha se zbatimi me rigoroz i ligjit duhet të ndihmojë në parandalimin e përdorimit të armëve. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›