Shtyhet protesta e pensionistëve
Protesta e paralajmëruar e Partisë së Pensionistëve të Kosovës (PPK) dhe Organizatës së invalidëve të Kosovës (OIK) për datën 23 prill, për shkaqe objektive shtyhet për më vonë.
Më 8 prill, Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, Partia e Pensionistëve, si dhe Organizata e Invalidëve të Punës së Kosovës kishin bërë të ditur se do të mbajnë protestë dhe grevë urie nëse Qeveria e Kosovës nuk i plotëson 14 kërkesa, në mesin e tyre edhe ajo për rritjen e pensioneve.
Pensionistët kërkojnë që pensioni të jetë 250 euro, pasi që pensioni mesatar i është vetëm 62 euro. Ndër kërkesat tjera, është hartimi dhe miratimi i Ligjit për pensione sipas standardeve dhe praktikave më të mira në shtetet e regjionit, kategorizimi i pensioneve sipas kualifikimeve, përvojës së punës dhe kontributit të dhënë, rregullimi i çështjes së pensionistëve invalidor dhe të minatorëve, rregullimi i çështjes së pensioneve familjare, zgjidhja e çështjes së pensionistëve invalidor të punës, kontributpagues nën moshën 65-vjet.
Gjithashtu, pensionistët kërkojnë që në dialogun Kosovë-Serbi të ngritet çështja e Fondit Pensional invalidor të Kosovës.