Shtyhet samiti i Venezuelës, spekulime për shëndetin e Çavezit

Qeveria e Venezuelës ka shtyrë mbajtjen e një samiti rajonal i parashikuar për javën e ardhshme ndërsa vazhdojnë spekulimet rreth shëndetit të Presidentit Hugo Çavez.
Çavez është duke e marrë vetën pas një operacioni të kryer më 10 qershor gjatë vizitës në Kubë. Pamje televizive të transmetuara në televizion gjatë kësaj jave e kanë paraqitur atë duke bërë bisedë me ish liderin kuban, Fidel Kastro.
Megjithatë vendimi për të shtyrë samitin e parashikuar për datën 5 dhe 6 korrik me liderët e Amerikës Latine dhe atyre të Karaibeve, ka thelluar edhe më shumë spekulimet rreth gjendjes shëndetësore të Çavezit.
Hugo Çavez kishte në plan të udhëhiqte takimin e parë të këtyre liderëve në Ishullin e Margaritës, në bregdetin e shtetit të tij.
Ky organizim i njohur edhe me inicialet CELAC, është krijuar në muajin shkurt si alternativë ndaj Organizatës së Shteteve Amerikane, pa përfshirjen e Kanadasë dhe SHBA-ve.