E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyp 9-vjeçarin, e braktis në mes të rrugës

01/07/2009  Ngjarja në Shkallnur, fëmijën e transportuan në spital kalimtarë të rrugës

I rrezikohet jeta, policia në kërkim të drejtuesit të mjetit

DURRES- Një fëmijë i moshës 9-vjeç është aksidentuar rëndë në rrugën Arapaj-Plepa të Durrësit. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes të së hënës në afërsi të kryqëzimit të rrugës Shkallnur-Plepa. Burime policore kanë saktësuar se fëmija 9-vjeçar Arban G. banor në këtë fshat ka qenë duke luajtur buzë rruge dhe në kohën që ka tentuar të kalojë në anën tjetër të rrugës është aksidentuar nga një mjet. Drejtuesi i autoveturës duke përfituar edhe nga muzgu i rënë nuk është ndaluar duke lënë fëmijën në anë të rrugës dhe me fare pak shpresa për jetë. Kanë qenë automjetet e tjera që kanë përshkuar këtë rrugë që kanë parë dhe afruar menjëherë ndihmën për 9-vjeçarin duke e dërguar në spital, ndërsa kanë njoftuar gjatë kohës që e transportonin edhe policinë e Durrësit. Efektivat e Policisë Rrugore kanë mundur të mësojnë se ka qenë një autoveturë me ngjyrë të errët që ka bërë aksidentin, por as postblloqet e ngritura menjëherë në rrugën Plepa-Rrogozhinë në afërsi të Golemit dhe as në hyrje të Kavajës nuk kanë mundur të ndalojnë autorin e aksidentit. Arban G. pas një trajtimi urgjence në spitalin e Durrësit është transportuar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku vijon të jetë në gjendje tepër kritike për jetën. Mjekët po bëjnë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën fëmijës, i cili dhe për shkak të mosmarrjes së menjëhershme të ndihmës së parë ka rrezikuar dhe më tepër jetën. Ndërkohë lënia në mëshirë të fatit të viktimave të aksidenteve nga drejtuesi e mjeteve është bërë një fenomen mjaft shqetësues. Frika e burgosjes bën që shumë prej tyre të braktisin në rrugë të plagosurit. Policia në të shumtën e rasteve ka arritur t’i identifikojë dhe më pas t’i ndalojë duke u komunikuar dhe një akuzë shtesë atë të braktisjes së vendngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›