E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyrja e gjyqeve, draft i ri kundër abuzimeve

Mungesa e avokatëve ka dërguar drejt dështimit jo pak procese gjyqësore. Ministria e Drejtësisë po diskuton amendimin e Kodit të Procedurës Penale. Ndryshimet sipas kësaj Ministrie do t'i japin fund situatës së krijuar. 

TIRANE- Shtyrja e gjyqeve për faj të avokatëve, është kthyer në një fenomen tejet shqetësues për gjykatat. Veç faktit që shumë të akuzuar për krime të rënda rrezikojnë lirimin, zgjatja sa më shumë në kohë e një procesi gjyqësor, prodhon një kosto të lartë financiare. Për t'i dhënë fund anomalisë së krijuar, Ministria e Drejtësisë është në bisedimet e para në nivel ekspertësh për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. "Ndryshimi i disa neneve në kod, do të bëhet me qëllim që të shmangen të gjitha hapësirat ligjore që shfrytëzojnë avokatët për të sabotuar një proces gjyqësor", - tha një ekspert i ministrisë. Burimet saktësojnë se në draftin e ri do të ketë saktësime për ato që cilësohen si "shkaqe të arsyeshme", që justifikojnë mungesën e një avokati në sallën e gjyqit. "Në mjaft raste abuzohet nga avokatët, të cilët për të justifikuar mungesën e tyre, paraqesin në gjykatë raporte mjekësore apo deklarata për pjesëmarrje në një gjyq në gjykatat më të larta. Ndaj, këtyre abuzimeve u duhet prerë rruga ligjërisht", - saktësuan zyrtarë të ministrisë.
Zvarritjet
Shumë procese gjyqësore zgjasin për vite të tëra në gjykatë dhe shkaku kryesor për këtë është mungesa e mbrojtësve ligjorë të të akuzuarve. Fenomeni shqetësues vihet re kryesisht në gjyqet me shumë të pandehur, siç janë bandat apo grupet kriminale. Në shumicën e rasteve, nuk bëhet fjalë për mungesa të arsyeshme të avokatëve, por një strategji që ndjekin për të përfunduar procesin në favor të klientëve të tyre. Zvarritja e procesit në jo pak raste ka përfunduar me lirimin e të akuzuarve, ose nxjerrjen e tyre në masën e sigurisë "arrest shtëpie". Kur bëhet fjalë për kontingjent të rrezikshëm, gjykata urdhëron ruajtjen e tyre me forca policore. Por zgjatja e proceseve gjyqësore, rëndon mjaft në buxhetin e gjykatave. Ndryshimet që do të bëhen në Kodin e Procedurës Penale, e pikërisht në pjesën ku përcaktohen shkaqet që mund të justifikohet mungesa e avokatëve, shihen si e vetmja rrugë për t'u dhënë fund zvarritjeve të proceseve gjyqësore. Pritet që ndryshimet të bëhen së shpejti. Ekspertët po pu-nojnë për nisjen e hartimit të draftit. Burime nga Ministria thanë se do të merren mendimet e ekspertëve për të hartuar një draft që të mos kontestohet nga palët. Sikurse dihet, tashmë shumë nga proceset gjyqësore janë në rrezik dështimi për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Madje ka patur raste kur të akuzuar për krime të rënda kanë rifituar lirinë për shkak të pezullimit të afateve të paraburgimit, rrezik që është evident në shumë nga proceset e rëndësishme në gjykata, e kryesisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›