Mashtruan bankën për 100 milionë lekë, 4 në pranga
OPERACIONI/ Policia e Lezhës ka arrestuar 4 shtetas të cilën morën kredi me qëllim moskthimin e tyre
LEZHË - Kanë përfunduar në pranga katër persona gjatë operacionit "Gjahtari i Kredive" i realizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Bëhet e ditur se janë arrestuar shtetasit: Migena Shema, 32 vjeçe, banuese në Lezhë, ish-oficere kredie në një bankë; Haxhi Haxhia, 54 vjeç, banues në Lezhë, administrator i firmës "Ulqini" që merret me tregtinë e armëve të gjahut, Martin Gjokhilaj, 34 vjeç, banues në Blinisht të Lezhës, punëtor në ndërtim dhe Nikoll Ndoj, 54 vjeç, banues në Lezhë, me profesion punëtor.
Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të marrin një shumë prej 10 000 000 lekësh të reja në formë kredie në një bankë, me qëllim moskthimin e tyre.
Mashtrimi
Sipas zëdhënëses së Policisë së Lezhës, Elona Nika, arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin me anë të dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar kredi në një nga bankat e qytetit të Lezhës, të cilat nuk i kanë kthyer duke mashtruar bankën me kreditë e marra.
Sipas policisë, administratori i firmës "Ulqini", Haxhi Haxhija, ka lëshuar vërtetime punësimi për 10 personave, vërtetime të cilat janë paraqitur në bankë tek oficerja e kredisë.
Nëpërmjet këtyre vërtetimeve janë tërhequr kredi konsumatore me vlerë prej 1 000 000 lekësh të reja për person, në një total prej 10 000 000 lekësh. Këto para janë përdorur nga Haxhi Haxhija me qëllim për të ndërtuar një godinë 4-katëshe në qytetin e Lezhës.
Ndërkohë, sipas policisë, oficerja e kredisë Migena Shema ka shpërdoruar detyrën duke dhënë kredi konsumatore edhe pa u paraqitur vetë personat të cilët kërkonin kredi konsumatore, si dhe pa qenë prezent familjarët e tyre.
Në bankë janë paraqitur shtetasit e tjerë, Martin Gjokhila e Nikoll Ndoj, të cilët kanë ndihmuar Haxhi Haxhiajn për të arritur të marrë sasinë e parave që i nevojitej. Pas kryerjes së një veprimi të tillë, gjithsecili nga personat, pasi ka marrë shpërblimin e kërkuar, ka vijuar punën, ndërkohë që Haxhiaj ka nisur ndërtimin e godinës 4-katëshe.
Hetimi
Por ndërkohë strukturat e bankës kanë nisur verifikimet lidhur me kreditë e marra prej këtyre dhjetë personave për të cilët ishte lëshuar vërtetim nga administratori i firmës "Ulqini".
Shuma e parave e dhënë nga oficerja e kredisë ishte 10 000 000 lekë të reja, para të dhëna në periudhën korrik-gusht të vitit 2008. Pas verifikimet të kryera ka rezultuar se Haxhiaj kishte lëshuar vërtetime false pasi personat që kishin tërhequr paratë nuk ishin të siguruar.
Më pas nga ana e bankës u bë denoncim në polici dhe ishte krimi ekonomik ai që nisi hetimin lidhur me ngjarjen. Në fund të hetimit u arrit të përcaktohej edhe skema e ndjekur, si dhe personat e përfshirë në të.
Si rrjedhojë, në pranga përfunduan Haxhi Haxhiaj, Martin Gjokhila, Nikoll Ndoj dhe Migena Shema. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "mashtrim në kredi", "falsifikim të dokumenteve" dhe "shpërdorim detyre", në bashkëpunim.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës sqarojnë se vazhdojnë hetimet e mëtejshme të personave të përfshirë në dhënien dhe përfitimin në mënyrë të paligjshme të kredive.